SHT05252013

Perditesimi i fundit03:23:04 PD

Back Biznes Biznes Mërgimtarët, për tre muaj 400 milionë dollarë

Mërgimtarët, për tre muaj 400 milionë dollarë

Në tre muajt e parë të këtij viti mërgimtarët në Maqedoni kanë sjellë rreth 400 milionë dollarë. Kjo e dhënën bëhet e ditur nga Banka Popullore e Maqedonisë, por jo si grafi e shënuar si transfere të mërgimtarëve apo remitencave, por si tranfere private nga jashtë.

Nëse vazhdon një trend i këtillë, deri në fund të vitit pritet të grumbullohen në buxhet 2 miliardë euro nga mërgimtarët. Në kushte të rritjes enorme të çmimeve, shumë qytetarë të Maqedonisë arrijnë t'i përballojnë këto vështirësitë në ekonominë familjare falë dërgesave të mërgimtarëve.

Jo vetëm dërgesat por edhe shpenzimet që ata po i bëjnë gjatë qëndrimit për pushim në vendlindje verës, dukshëm ndikojnë jo vetëm në rimëkëmbjen e ekonomive, por drejtpërsëdrejti me derdhjen e një sasie të konsiderueshme të parave, financojnë edhe deficitin e buxhetit.Eksperti ekonomik Visar Ademi thotë për çdo vit në Maqedoni hyjnë me miliarda dollarë nga remitencat e diasporës. "Qeveria e Maqedonisë në kuadër të rebalancit të buxhetit pothuajse për çdo vit parasheh mbulimin e një pjese të dobësive të buxhetit nga paratë e dërguara nga jashtë, apo të ashtuquajturat remitencat. Edhe këtë vit kurbetçarët janë shpëtimtarë për Maqedoninë dhe ardhja e tyre ka ndikim shumë të madh si në fuqinë blerëse përgjatë tre muajve me radhë sa qëndrojnë për pushime, por edhe në rritjen e të hyrave të buxhetit të Maqedonisë", thekson ai. Kështu me këto harxhime që bëjnë mërgimtarët jo vetëm që janë shpëtim për të hyrat në buxhet, por me këto mjete për çdo vit financohet deficiti buxhetor i Maqedonisë.

"Shpenzimet në sektorin e ndërtimit, shërbimeve, turizëm, manifestime dhe ahengje familjare, janë kryesisht mjetet që harxhohen nga ana e kurbetçarëve për aq kohë ata qëndrojnë në familjet e tyre", thotë Ademi. Remitencat, por edhe vizitat e mërgimtarëve në vend përgjatë sezonit veror rezulton me përfitime të shumta, dhe sipas ekspertit ekonomik Nasir Selimi, tani më është më se e njohur dobia që ka ekonomia vendore ka nga kthimi i mërgimtarëve. "Nëse i referohemi vetëm një treguesi ekonomik, atij të zërit të transfertave neto në bilancin e pagesave për vitin 2011, do të vërejmë se i njëjti ka arritur shumën rekorde prej 2.073 miliardë dollarëve. Ky zë i bilancit të pagesave kryesisht përbehet nga transferet private, pra nga dërgesat që i realizojnë mërgimtarët tanë. Po të mos ishin dërgesat e qytetarëve, që moti Maqedoninë do ta kaplonte vala e protestave të qytetarëve si pasojë rritjeve të shpeshta të çmimeve dhe gjendjes së rëndë ekonomike dhe varfërisë në vend", thotë Selimi. Në dhjetë vitet e fundit, ai thotë se vazhdimisht ka rritje të remitencat, kurse në pesë vitet e fundit mesatarisht çdo vit ato arrijnë mbi 1 miliardë dollarë. "Në mungesë të dhënave të sakta për numrin e mërgimtarëve, sipas disa të dhënave jo zyrtare gati 160.000 familje në Maqedoni jetojnë nga paratë e mërgimtarëve. Kështu që transfertat e mërgimtarëve paraqesin 20 % të Bruto prodhimit vendor të Maqedonisë. Këto mjete lirisht mund të themi se e shpëtojnë ekonominë e Maqedonisë, ato e mbajnë stabilitetin e denarit dhe me këto mjete mbulohet deficiti i tregtisë në bilancin e pagesave që Maqedonia ka vite të tëra", thotë eksperti ekonomik Nasir Selimi. 

 (Z.V../KOHA)




Lajmet e funditTë rëndomta