MAR06182013

Perditesimi i fundit09:24:11 MD

Back Lajme Gostivar Gostivar - Mbyllet deponia e qytetit

Gostivar - Mbyllet deponia e qytetit

  • PDF

Deponia e qytetit e vendosur në vendin e quajtur Shushicë në Gostivar, me vendim të drejtuesve komunal dhe ndërmarrjes publike komunale, është hequr nga përdorimi dhe në të ardhmen nuk do të shfrytëzohet për deponimin e mbetjeve urbane.

Ndërmarrja publike komunale këto ditë është duke punuar në mbulimin e saj me një shtresë trualli rreth 40 centimetra. Mbetjet urbane të qytetit të Gostivarit, tani e tutje do të barten në deponinë regjionale “Rusiono”.

Rustem Iljazi, koordinator për pastërti publike në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”, njoftoi se tashmë një muaj vlen ndalesa për hedhjen e mbetjeve urbane. Pos shtresës së truallit që është duke u vënë mbi hapësirën e deponisë, deri në fund të vjeshtës do të bëhet edhe gjelbërimi i kësaj hapësire si dhe mbledhja e drunjve. Sipas tij, me masat teknike që janë duke u ndërmarrë në mbulimin e hapësirës ku më herët ishin bartur mbetjen urbane, do të minimizohen në maksimum dëmet nga prezenca e mbetjeve urbane nën sipërfaqen e tokës.

“Tashmë një muaj, Ndërmarrja publike komunale ka hequr dorë nga përdorimi e deponisë së qytetit, duke bartur mbetjet urbane në deponinë e Rusinos që ndodhet 8 kilometra largë qytetit. Tash e disa ditë jemi duke ndërmarrë masa teknike në mbylljen e deponisë, duke e mbuluar atë me një shtresë trualli. Në vjeshtë do të bëhet edhe mbjellja e sipërfaqes me gjelbërim dhe po ashtu edhe mbjellja e drunjve. Masat e ndërmarra teknike për mbulimin e sipërfaqes me mbeturina, do të mundësojnë minimizimin e dëmeve nga prezenca e tyre nën shtresën e hedhur të truallit”, theksoi Iljazi.

Nga ndërmarrja publike komunale apelojnë tek qytetarët e Gostivarit dhe fshatrave për rreth, për shmangien e hedhjes së mbeturinave në sipërfaqen e kësaj deponie, pasi që ajo tashmë nuk do të përdoret për qëllime të tilla.

“Do të kisha apeluar deri tek qytetarët që në asnjë formë mos bëjnë hedhjen e mbetjeve urbane në hapësirën e kësaj deponie. Inspektorët komunal dhe organet e rendit kanë kompetenca që rastet e tilla t’i sanksionojnë bazuar në ligjin për pastërti publike. Mbyllja e depnoniës kishte si qëllim shmangien nga ndotja e ambientit, andaj edhe qytetarët duhet të kenë kujdes që në asnjë mënyrë të mos ndikojnë në rrezikimin e natyrës në përgjithësi”, theksoi Rustem Iljazi, koordinator për pastërti publike në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”.

Deri në zgjidhjen përfundimtare për ndërtimin e deponisë së re regjionale, Komuna e Gostivarit por edhe komunat e tjera të Pollogut, përkohësisht do të shfrytëzojnë deponinë “Rusiono”, për deponimin e mbetjeve urbane./tv2-tetova1/



Lajmet e funditTë rëndomta