MER06192013

Perditesimi i fundit10:18:11 MD

Back Lajme Gostivar Gostivari s’e harron ’97-shin

Gostivari s’e harron ’97-shin

  • PDF

Gostivar, 9 korrik - Në 15 vjetorin e ngjarjeve të përgjakshme të 9 korrikut të vitit 1997 në Gostivar, krahas aktiviteteve të tjera të ndërmarra nga drejtuesit e pushtetit lokal në Gostivar, në sheshin e fshatit Turçan të Vogël do të shpaloset busti i dëshmorit të Flamurit, Nazmi Saliu, i rënë në ngjarjet e 9 korrikut në Gostivar.

Ndërkohë, më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit kombëtar, në fshatin Forinë do të shpaloset busti i dëshmorit tjetër, Shpend Iseini. Me emrin e tij, pas aprovimit në Këshillin e  Komunës ë Gostivarit, do të emërohet edhe shkolla e fshatit Forinë, e cila tashmë do të funksionon si shkollë e pavarur. Kryetari Osmani, në takimin e fundit me banorët e Forinës, ka rikonfirmuar vendimin për emërimin e shkollës së fshatit me emrin e dëshmorit, Shpend Iseini.

Në agjendën e manifestimeve për shënimin e ngjarjeve të 9 korrikut të vitit 1997, pos akademisë solemne, një delegacion i Komunës së Gostivarit do të bëjë homazhe në varret dëshmorëve. 

 

Familjarët: “Ideali ende s’është arritur” 

Tani që kanë kaluar pesëmbëdhjetë vite nga ngjarjet e Gostivarit, familjarët ndaj bindjen se ideali i të rënëve ende nuk është realizuar tërësisht. Vezir Saliu, vllahu i dëshmorit Nazmi Saliu, thotë se përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar në Maqedoni, lë shumëçka për të dëshiruar. Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare të nacionaliteteve, sipas tij, ende nuk përmbush aspiratat e popullit shqiptar. Si i tillë që ishte, me abrogimet e neneve që pësuan nga Gjykata kushtetuese, ligji nuk mundëson përdorimin e flamurit kombëtar ashtu siç do të donim. “Ideali i vëllait tonë nuk mund të themi se është realizuar plotësisht. Duhet që politika shqiptare të luaj rolin e vet dhe kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë ashtu siç dëshiron populli shqiptar. Nëse bëhet një paralele me popullin serb që jeton në Kosovë dhe që gëzon me kushtetutë çdo të drejtë kombëtare, edhe pse janë vetëm 5 për qind, populli shqiptar në Maqedoni që përbën një të tretën e popullatës, me të drejtë edhe sot e kësaj dite shpreh pakënaqësi, qoftë për flamurin, qoftë për gjuhën shqipe. Ideali i të rënëve tonë, do të përmbushej kur ne do të gëzonim të drejtat kombëtare ashtu siç na takon dhe ashtu siç do të duhej të jetë”, thotë Veziri. 

Familja Saliu shprehet e kënaqur nga trajtimi që u është bërë deri tash nga drejtuesit e Komunës së Gostivarit. Djali i dëshmorit, Vebi Saliu thotë se mbështetja nuk ka munguar, ndërsa vendimin për ndërtimin e sheshit të fshatit Turçan i Vogël, aty ku dhe do të vendoset busti i babait të tij, e quan kurorëzim të mbështetjes institucionale të pushtetit vendor në Gostivar.

15 vite në kujtim të dhunës

Qytetarët e Gostivarit dhe rrethinës, pas plotë 15 viteve përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, datë sublime e krenarisë së dhimbshme shqiptare në mbrojtje të Flamurit kombëtar. Pikërisht sot(e hënë), para 15 viteve qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal të Gostivarit, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes së pushtetit të atëhershëm ndaj popullatës shqiptare. Në gjithë këtë situatë, shkas i dhunës së shfrenuar policore-ushtarake ishte Flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë, si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët. 

Rrjedhimisht, përpjekja më serioze e realizuar në mënyrë paqësore dhe demokratike për ngritjen e nivelit të barazisë ndëretnike në Maqedoni, u shfaq që në zgjedhjet lokale të vitit 1996 nga të cilat dolën përfaqësues politik të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në mbledhjen e parë punuese të Këshillit të Parë Plural Komunal, në një procedurë legale juridike, më 27 janar të vitit 1997 ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar, para godinës së Komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë. U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar. Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. 

Ky vendim i kuvendit republikan, pa respektuar afat e fuqizimit u materializua pak orë pas aprovimit të së njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë maqedonase. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm dhe aktual të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani. Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, u plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jo maqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate. Nga rrahja dhe keqtrajtimet çnjerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, jetë ndërruan edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë.

 

Të ishe gazetar, më keq se protestues! 

Një nga dëshmitarët e drejtpërdrejt të ngjarjeve të përgjakura të Gostivarit, është edhe gazetari dhe publicisti, Lulzim Haziri. Duke përkujtuar këto ngjarje, tani pas 14 vitesh, Haziri shprehet se të ndodheshe në rolin e gazetarit në ato ditë, ishte sikur të zhvilloje profesionin në ilegalitet të  thellë, duke potencuar se edhe të plagosurit në Spitalin e Gostivarit janë xhiruar ilegalisht ashtu sikurse edhe varrimi i të rënëve në këto ngjarje. 

“Të ishe gazetar më 9 korrik të vitit 1997 ishte më keq se të jesh protestues që i rri përball  kordonit të policisë dhe i nënshtroheshe torturimit fizik nëse pak nuk tregoheshe i kujdesshëm. Gjatë rrjedhës së protestave dhe kohës së torturimit çnjerëzor të qytetarëve, policia bëri ndarjen e gazetarëve në baza etnike, duke i lënë gazetarët maqedonas të hyjnë brenda zonës së tyre dhe duke na lënë gazetarëve shqiptarë me protestuesit, nën plumba dhe gaz lotsjellës. Ndaj edhe incizime të rrahjes së qytetarëve bënin vetëm kameramanët  maqedonas”, shprehet Haziri, i cili më tej shton se: “Të ishe gazetarë në ato ditë ishte sikur të zhvilloje profesionin në ilegalitet të  thellë”. “Ilegalisht kemi hyrë me ekipin xhirues në Spitalin e Gostivarit për t’i incizuar të plagosurit, ilegalisht ndiqeshin varrimet, s'guxoje të shihje si maltretoheshin qytetarët,  burimi i informatave vështirë gjendej ndërsa shtëpia mu bë si hotel i gazetarëve nga vendbanimet e tjera, që vinin për ta ndjekur situatën. 9 korriku ishte shembull i mirë i rrezikut të profesionit, po edhe i rëndësisë së tij”, vazhdon ai.


Aksioni policor përfshiu edhe Tetovën 

Në Tetovë, ashtu si në Gostivar, përveç mënjanimit të flamurit kombëtarë prej përpara godinës komunale, ky akt u shoqërua me shkatërrimin nga ana e forcave policore të lokaleve të komunës dhe të pajisjeve që gjendeshin aty. Udhëheqja e atëhershme e komunës së Gostivarit dhe Tetovës,  udhëhiqte përpjekjet institucionale për realizimin e të drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar në një ballafaqim të pabarabartë gjashtë mujor me pushtetin qendrorë.

Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për të arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator 1997. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku i shqyrtuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. Në këtë gjykim u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Pas miratimit të Ligjit për amnisti në vitin 1999 lirohet nga burgu duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet e Maqedonisë. 

Ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal, Vebi Bexheti. Tani pas 15 viteve, përpara godinës komunale të Gostivarit valëvitet flamuri shqiptar, ndërkohë që në krye të Komunës së Gostivarit, sërish ndodhet kryetari i atëhershëm, Rufi Osmani, të cilit me proces të montuar politik iu ndërpre mandati, për ta rikthyer sërish në vitin 2009 me votën e lirë qytetare. 

 

Si e pa Mersel Bilalli Gostivarin e 9 korrikut?

Aksioni i policisë ishte legal, vrasësit e tre shqiptarëve janë persona të panjohur, puna e Komisionit nuk është të luajë rolin e hetuesit, policia ka vepruar sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare, nuk ka urdhër për tejkalimin e kompetencave, viktima e tretë ka vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, pa precizuar kush janë dhunuesit, këto janë vetëm disa nga margaritarët që kishte zbuluar Komisioni i Mersel Bilallit për ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997 në Gostivar. Aksioni i policisë ishte obligim ligjor për zbatimin e vendimit të Gjykatës kushtetuese. Ky është konstatimi i Komisionit parlamentar për ndriçimin e aksionit policor me 9 korrik në Gostivar, në krye të të cilit qëndronte deputeti i atëhershëm i PPD-së, sot profesor, kolumnist dhe analist politik, Mersel Bilalli. Pas shumë viteve nga kjo tragjedi e shqiptarëve, gazeta KOHA ka dokumentin origjinal të këtij raporti prej 5 faqeve, i cili u mundua të minimizojë terrorin shtetëror të qeverisë së atëhershme ndaj banorëve të këtij qyteti, të cilët tentimin për të mbrojtur flamurin kombëtar e paguan me tri viktima, disa të plagosur dhe qindra të keqtrajtuar. Raporti është përpiluar më 10 mars të vitit 1998.

Driton ZENKU/KOHA

 

FOTO: I biri i dëshmorit Nazmi Saliu, Vebiu dhe vëllai Veziri


VIDEO nga ngjarjet e vitit 1997



Lajmet e funditTë rëndomta