Evis Halili/KOHA
Shkup - Kalendari i kremteve pagane po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë reduktimit, traditat e reja zëvendësojnë ato të hershmet duke spostuar drejt harresës dhe zhdukjes pjesë të trashëgimisë kulturore, si Dita e Verës, Shën Gjergji, Buzmi, Shmitri e të tjera. Demode, që stonojnë me kohën dhe përkatësinë religjioze, apo të neglizhuara institucionalisht? Etnologët janë të mendimit se kemi nevojë të ruajmë doket dhe traditat më të hershme, si pjesë e identitetit kombëtar dhe kulturor, por nga ana tjetër, vërejnë se tendenca për t'iu përshtatur jetës moderne, imponon rregulla të tjera, të cilat prej vitesh po përjashtojnë festat e këtij lloji. Derveni i Shkupit, Tetova, Gostivari..., janë disa prej zonave ku festimi i këtyre datave ka qenë më tradicional. Larja me ujin e luleve dhe petaleve, ku protagonistët kanë qenë kryesisht të rinjtë, gatesat tradicionale me theksin tek ëmbëlsirat kanë qenë format sesi shqiptarët shënonin kalimin nga një stinë në tjetrën, apo edhe fillimin e një viti të ri, periudhat e mbjelljeve e të tjera.
Pagane dhe kombëtare
Një prej tyre, 14 Marsi - Dita e Verës, prej pak vitesh është shpallur festë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë që në Maqedoni, një manifestim në nder të kësaj dite, i perceptuar si një ringjallje tradite, është Karnavali e Bozovcës, që ka nisur të festohet prej dy vjetësh. Dita e Verës çel festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar atë drejt 21 marsit, që është edhe Dita kalendarike diellore e Verës. Pranverën, banorët e këtij fshati po e presin me rituale që mbajnë larg demonët dhe shpirtrat e këqij për të mos dëmtuar burimet e tyre të ekzistencës. Me veshje dhe ushqim tradicional, banorët e Buzovcës dëshirojnë që në një farë mënyrë, të mbajnë gjallë një tradite tre mijë vjeçare. Neshat Memeti, është një prej organizatorëve. Ai pohon se me këto manifestime duan që jo vetëm të kultivojnë traditën, por edhet rrisin te njerëzit ndjenjën e përgjegjësisë kolektive dhe solidaritetit.
"Nuk na pengojnë se janë pagane, as se jetojmë në kohë moderne. Ne do të vazhdojmë t'i shënojmë ashtu siç kanë bërë të parët tanë", thotë Memeti. Izaim Murtezani, punonjës shkencor në Institutin e Folklorit, pohon se përmbajtja e festave pagane dukshëm është zhbërë, si rrjedhojë e kushteve tekniko-teknologjike, por edhe për shkak se në brendinë e tyre, ngërthejnë karakterin politeist dhe si të tilla, atakohen edhe nga kleri mysliman. "Andaj, në konditat e këtilla vështirë se ato mund të mbijetojnë. Nuk mund të kontestohet fakti se brendia e këtyre festave është e karakterit shumëhyjnor, pasi ngërthejnë elemente të trajtave të besimit më të lashtë, si magjia, animizmi, totemizmi e kështu me radhë, por nga ana tjetër nuk mund të kontestohet edhe fakti se ato paraqesin një pjesë të identitetit tonë kulturor. Ndryshe qëndron puna me fenë e krishterë e cila shumë herët bëri përvetësimin e këtyre festave të cilat i modifikoi për qëllime të saja, por njëherit edhe i ruajti nga zhdukja e tyre", thotë Murtezani. Etnologu vëren se disa festa, si Dita e Verës, apo Shëngjergji vazhdojnë të shënohen, por me një përmbajtje tejet të reduktuar. Dikur, shton etnologu, si rite më tipike të këtyre ceremonive ishin ndezja e zjarreve, ritet me vegjetacion, ritet me vezë, ritet me nyje të perit, ritet me gurë etj. Ndezja e zjarreve kolektive, apo familjare gjatë Ditës së Verës, por edhe të Shëngjergjit duhej t'i transmetonte energji diellit në funksion të shtimit të nivelit të prodhimeve bujqësore. Sipas një teorie tjetër, thotë Murtezani, e cilësuar si teoria purifikuese, ndezja e zjarrit kishte për qëllim "djegien" e forcave të liga, apo spastrimin e vendbanimeve nga forcat demoniake, duke bërë që esenca e të gjitha riteve kalendarike me prapavijë pagane është e ndërlidhur me ndjelljen e shëndetit dhe pjellorisë në të gjitha dimensionet e jetës njerëzore. "Duhet t'i mbrojmë nga harresa këto data. Por mbi të gjitha, duhet që t'i mbrojnë institucionet përkatëse. Nuk e di se çfarë po bën Instituti i Trashëgimisë për të mbledhur dhe dokumentuar trashëgiminë. Duhet t'i ruajmë pasi kleri ndonjëherë me të padrejtë prek edhe aty ku nuk e ka vendin, duke i cilësuar shumë prej tyre si mëkate", thotë publicisti Xhabir Ahmeti. Që festat e tilla të lihen anash, është e kuptueshme, pasi që shoqëria ecën përpara dhe marrëdhëniet e reja shoqërore imponojnë edhe dukuri të reja, thotë profesori i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Shkup, Zeqirja Neziri. "Në shoqërinë e industrializuar, nuk mund të kuptohet festimi i atyre festave që janë pagane, njeriu e ka të vështirë t'i ndjekë traditat e një periudhe të hershme. Tani janë zhdukur marrëdhëniet që kanë qenë pjesë e manifestimeve të tilla. Unë kam dëshirë që të vazhdojnë të jetojnë, por thjesht nuk mund të jetojnë", pohon Neziri. Sipas tij, edhe ato festime që bëhen tani nuk e kanë karakterin pagan që ka pasur dikur, po ashtu edhe ritet e ndryshme që janë pjesë e formave të festimit.
Ashtu si dikur .....
"Dita e Verës", si pjesë e kalendarit zyrat festiv në Shqipëri, konsiderohet si një festë mbarëshqiptare, edhe pse Elbasani dhe ëmbëlsira e ballokumes është kremi i saj. 14 marsi e ka origjinën në kohën kur njerëzit i faleshin perëndive, në tempullin që ka qenë në zonën e Çermenikës, në afërsi të Librazhdit dhe njëherazi shënon fundin e dimrit dhe hyrjen e pranverës. Dikur, Ilirët i faleshin perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis, ndërsa dy dekada pas Faik Konicës, At Berdardin Palaj e përshkruante në këtë mënyrë kremtimin e Ditës së Verës nga malësorët katolikë të veriut.
"Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese: gjarprin mos t'i nxajë, lepurin mos t'u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t'u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të Marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë", shkruan ndër të tjera Palaj.



