Që të ruhet, të gjurmohet dhe të kultivohet kjo trashëgimi kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të themelohet një muze kombëtar, i cili këtë punë do ta bënte në mënyrë institucionale dhe të organizuar prej ekipesh të kuadrove profesionale shkencore sipas degëve, seksioneve dhe sektorëve përkatës.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë që përkrah Institutit albanologjik edhe për muzetë e tyre nacional që do të ngriheshin e vepronin në kuadër të çdo komune, ku do të ruheshin e afirmoheshin në formë eksponatesh vepra e krijime të artit të teknikës, veshmbathjes, fotografi e dokumente të ndryshme historike e shkencore.
Kjo ide e profesor Sulejmanit e propozuar në formë të një projekti ku sqarohen programi i punës, financimi, kuadrot, seksionet dhe sektorët e muzeut i është dorëzuar Këshillit para disa muajve. Edhe pse këshilli është pro kësaj ideje, ai deri më tani nuk ka marrë akoma vendim, pasi para se të merret vendimi duhen analizuar mirë kushtet.
Për qytetarët, ndërtimi i një muzeu kombëtar në Tetovë është një ide e shkëlqyer që duhet realizuar sa më shpejt. “Pse jo, Tetova ka nevojë për një muze kombëtar”, thotë Valmir Saliu. Sipas tij, trashëgimia kulturore shqiptare po shkatërrohet dita ditës dhe është momenti i fundit që të ndërmerren hapa për ta ndalur këtë shkatërrim. /lajmpress/



