Një zyrtar i lartë i partisë shqiptare në pushtet theksoi për agjencinë e lajmeve INA se vetë Ahmeti me një grup bashkëpunëtorësh më të ngushtë po projekton idenë e një Aleance që do të tubojë të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, me përjashtim të PDSH-së.
“Ky propozim akoma nuk është nxjerrë në strukturat partiake të BDI-së, mirëpo ai edhe do të jetë së shpejti. Ahmeti në vazhdimësi ka proklamuar projeksione të tilla politike, duke zgjatur dorën e bashkëpunimit të gjitha partive shqiptare opozitare. Synimi është për një bashkëveprim qoftë me RDK, DR dhe parti e sektorin e gjërë civil, në rrafsh lokal dhe ky bashkëpunim mund të jetë i arritshëm. Pra ideja është për një bashkëpunim për zgjedhjet lokale dhe faktorizimin e votës shqiptare, ndërsa nuk synojmë që të imponojmë tek partitë tjera politikat tona apo skenare të tjera, por thjeshtë një bashkëpunim në rrafshin lokal, për të avancuar procesin politik të shqiptarëve”, deklaroi për INA, zyrtari i lartë i BDI-së.
Jozyrtarisht mësohet se Ahmeti po planifikon idenë e tillë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të arrihet marrëveshje për ndarjen e komunave, duke u dakorduar edhe me partitë më të vogla dhe për të nxjerrë kandidatura të pranueshme në elektoratin shqiptar.
Zërat e tillë brenda BDI vijnë pas qëndrimit të shprehur të saj se nuk do të ketë aleanca dhe koalicione me VMRO-DPMNE si dhe pas promovimit të koalicionit midis PDSH-së dhe LSDM-së.
Në BDI pranojnë një ide të tillë duke theksuar shprehjen e fuqisë së votës shqiptare në rrafshin lokal dhe fitoren e disa komunave të rëndësishme, përfshirë edhe komunën e zgjeruar të Kërçovës./ina


