MER06192013

Perditesimi i fundit03:30:13 MD

Back Lajme Maqedoni Analistët: 'Anketat, manipulime partiake'

Analistët: 'Anketat, manipulime partiake'

  • PDF

Anketat e fundit të realizuara nga Institute dhe Organizata të ndryshme për besueshmërinë e partive politike dhe liderëve, më shumë kanë të bëjnë me përgatitjet që partitë politikë po bëjnë për zgjedhjet lokale të vitit 2013, e ndoshta edhe për zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare. Kështu vlerësojnë analistët Artan Sadiku dhe Petar Arsovski.

Sadiku vlerëson se anketat e fundit paraqiten si të porositura nga vetë subjektet politike dhe si të tilla duhet të merren me rezervë.“Besoj se ndoshta intensifikimi i rezultateve mund të jetë një indikator që në përgjithësi gjithë spektri politik përgatitet për zgjedhje të parakohshme. Mirëpo rezultatet që dalin nga këto hulumtime duhet të merren me një skepticizëm, me një dozë shumë të lartë të skepticizmit, për shkak se gjithmonë kur paraqiten nga Institute të ndryshme paraqiten në koeficient të ndryshueshmërisë shumë të madhe ndaj njëri tjetrit. Nga ana tjetër duke pas parasysh se vetëm partia opozitare ka paralajmëruar fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, nga partia në pozitë mund të pritet të ketë aktivitete të tilla politike që të mundohen ta minimizojnë ndërmarrjen e ndonjë lëvizje më të madhe politike nga opozita”, tha  Artan Sadiku, analist. Analisti Petar Arsovski vlerëson se me anketat dhe aktivitetet në teren, partitë politike në Maqedoni kanë sjellë përvoja perëndimore, që të fillojnë fushatat një vit para zgjedhjeve.  “Anketat, aktivitetet në terren, punën intensive të partive unë i shoh si përgatitje për zgjedhjet lokale. Për herë të parë në Maqedoni, një vit para zgjedhjeve lokale, partitë vendosën një përvojë perëndimore dhe filluan fushatën më herët. LSDM-ja me ‘Verën e Punës, VMRO-DPMNE-ja me ‘Valën e Re’, e shoh se partitë janë më aktive në prag të zgjedhjeve lokale. A do të thotë kjo se përgatiten edhe për parlamentaret, nuk mund të themi, sepse vetë partitë nuk janë prononcuar për atë çështje’, tha Petar Arsovski, analist. Arsovski vlerëson se nuk duhet përjashtuar opsioni i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por shtoi se ato nuk duhet të mbahen nëse situata politike në vend nuk do të kishte ndryshuar.“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë indikative, nëse të nesërmen pas zgjedhjeve, situata do të ishte e njëjtë. Ju nuk keni nevojë të bëni zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse ato nuk zgjidhin diçka në kuptimin politik, mendoj se me rëndësi është që të arrihet konsensus politik se në çfarë drejtimi do të ecë shteti pas disfatës në NATO, a do të rezultojë ajo me ndonjë ndryshim të shumicës parlamentare, zgjedhje të parakohshme ose ndonjë mekanizëm tjetër politik, ajo tashmë është çështje sekondare, me rëndësi është që të vendosim ku do të lëviz shteti”, tha Petar Arsovski, analist. Anketat për partitë politike në vend janë shpeshtuar kohën e fundit. Vetëm dy ditët e fundit dy Institute të ndryshme publikuan anketa që jepnin të dhëna diametralisht të kundërta mes njëra tjetrës. Qendra Për Hulumtime dhe Analiza (CIA) në anketën e publikuar dje, LSDM-në e nxori si parti që do t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme ndërsa Branko Cërvenkovskin si liderin më të besueshëm në vend. Ndërsa dy ditë më parë në anketën e realizuar nga Instituti për hulumtime strategjike ofroheshin rezultate të tjera, të cilat nxirrinin fituese VMRO DPMNE-në dhe liderin e saj Nikolla Gruevskin. Alsat-M



Lajmet e funditTë rëndomta