Mirëpo, jo pak shkolla kanë filluar ta kuptojnë mundësinë e organizmit të ekskursioneve si një biznes të mirë, për nxjerrjen e përfitimeve financiare, kuptohet nga ana e atyre që marrin përsipër organizimin e ekskursioneve apo shëtitjeve jashtë shtetit. Për ekskursione, të cilat realisht mund të kushtojnë 70 euro, prindërit paguajnë fatura thuajse dyfish më të larta. Duke shfrytëzuar edhe faktin se ekskursionet janë forma mjaft tërheqëse për nxënësit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër përfitimet që sjellin organizimet e këtilla, shkollat i dërgojnë nxënësit madje dhe nga dy herë nëpër shëtitje jashtë shtetit. Edhe pse në bazë të rregullores - është e caktuar që një gjeneratë nxënësish të shkojë një herë në ekskursion (në kohëzgjatje prej dy ditë pune) nëpër shkolla ka filluar të bëhet modë organizimi i ekskursioneve nga dy herë gjatë një cikël shkollimi. Konkretisht, shkollat e mesme i dërgojnë në ekskursion vitet e dyta dhe vitet e treta, kurse shkollat tetëvjeçare - klasat e shtata dhe të teta, kuptohet nëpër destinacione të ndryshme. Shkollat tetëvjeçare preferojnë shëtitjet dhe ekskursionet brenda shtetit, kurse shkollat e mesme jashtë shtetit, edhe atë zakonisht në relacionet Shqipëri dhe Turqi, kur janë në pyetje nxënësit shqiptarë. Për nxënësit maqedonas, zgjidhen destinacione tjera, zakonisht Serbia dhe Kroacia. Që shkollat sillen me shumë vigjilencë ndaj organizimit të ekskursioneve me tendencë përfitimi, për këtë dukuri janë në dijeni edhe përgjegjësit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Zëvendësministri Safet Neziri thotë se MASH mund të veprojë vetëm në situata e denoncimit të rasteve. “Në rast se prindërit apo subjekte tjera kanë njohuri ose indikacione se gjatë përgatitjes së ekskursioneve ka dyshime për menaxhimin e mjeteve financiare nga ana e shkollës, pra udhëheqësish dhe organizatorëve të ekskursionit, mund ta paraqesin rastin në ministri, respektivisht në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit”, pohon Neziri. Vetëm pas denoncimit, MASH mund të ngrejë procedurë dhe në rast të vërtetimit të dyshimeve, Inspektorati propozon edhe masat e ndëshkimit, sqaron Neziri. Drejtoresha e ISHA-së, Nadica Nikollovska, tha për KOHA, se gjatë këtij viti shkollor është ngritur vetëm një procedurë shqyrtimi mbi dyshimet për parregullsi në organizmin e ekskursioneve. Edhe pse sipas Ligjeve, gjatë një cikël shkollimi është e caktuar të organizohet vetëm një ekskursion (jashtë ose brenda shtetit), shkollat ua mundësojnë nga dy herë nxënësve këtë. Kjo nuk ndalohet me Ligj, por vetëm kërkohet që iniciativa (kërkesa) të burojë nga prindërit dhe që e njëjta të miratohet nga Këshilli Drejtues i Shkollave (KDSSH). Drejtorët, që të shumtën e rasteve janë edhe organizatorët e ekskursioneve, nuk e kanë të vështirë të sigurojnë mbështetjen e KDSH-së për nxjerrjen e vendimeve që do të lejonin organizmin për herë të dytë të ekskursionit të dytë. Nuk është asnjë fshehtësi të thuhet se në shumë shkolla, organet janë më tepër fiktive se sa efektive, prandaj është shumë e vështirë të konstatohet nëse respektohet organet e shkollës. Në gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit, për shembull, psikologja Engjëllushe Limani, pohon se ka disa vite që nuk merr pjesë në asnjë organ, përmes të cilit duhet të kalojë procedura e organizimit të ekskursioneve. “Nuk mund të them më saktësi nëse respektohen ose jo normat dhe rregullorja e ekskursioneve, pasi shërbimi jonë nuk është pjesë e atyre organizimeve”, pohon psikologjia Limani. Gjatë organizimit të ekskursioneve, është praktikë që nxënësit të përcillen nga pedagogu apo psikologu i shkollës, mirëpo në “ZLM”, sikurse pohon Limani, shërbimi psikologjik nuk është pjesë e këtyre aktiviteteve as gjatë organizimit dhe as gjatë realizimit të ekskursioneve. Në Hotel “Antalia” në Durrës, për shembull, ku gjatë këtij sezoni kanë qëndruar grupe nxënësish të shkollave të ndryshme nga Maqedonia, çmimi për fjetje me gjysmëpansion (mëngjesi dhe darka) ofrohen për 12.5 euro për person, ose 37.5 euro gjithsej (nga e premtja deri të hënën). Nëse kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e rrugës - 30 euro maksimalisht, i bie që shpenzimi në bazë të ofertës reale (me çmimin e tregut) të jetë jo më shumë se 70 euro. Agjencitë turistike, për ekskursione në Shqipëri kërkojnë prej 1.300 deri 1.500 euro për një autobus, i cili ka në dispozicion 55 vende, që do të thotë se nuk është aspak më e lartë se 30 euro bileta kthyese nga Shkupi apo Kumanova deri në Durrës dhe anasjelltas. Mirëpo, për tu besuar ose jo, disa shkolla të mesme me mësim në gjuhën shqipe nga Shkupi, i dërguan nxënësit në ekskursion për 6.500 denarë ose rreth 107 euro edhe atë në Hotel “Antalia” në Durrës, ku qëndrimi me gjysmë pansion ofrohet për 12.5 euro. Pra, e pakta që mund të fitojnë organizatorët e ekskursioneve është 35 euro për person, pa llogaritur këtu edhe benificionet që japin hotelet dhe agjencitë për klientët e “mëdhenj” e që në këtë rast, janë drejtorët ose organizatorët e ekskursioneve të nxënësve.
(L.P./Koha)


