MAR06182013

Perditesimi i fundit09:24:11 MD

Back Lajme Maqedoni Krimet e rënda, asnjë gjykatës shqiptar

Krimet e rënda, asnjë gjykatës shqiptar

  • PDF

Veprat më të rënda penale hetohen dhe gjykohen në mungesë të shqiptarëve. E vetmja gjykatë me kompetenca për të gjithë territorin e vendit dhe që merret me krimet e rënda, Gjykata Themelore Shkupi I, nuk e ka asnjë shqiptarë në sektorët e shumtë saj.

Madje, asnjë hetues dhe asnjë gjykatës shqiptar nuk ka arritur të gjykojë ndonjë vepër të rëndë penale deri më tani. Të dhënat e Gjykatës Themelore Shkupi I, tregojnë se në sektorin që merret me hetimin e rasteve të krimit të organizuar - janë caktuar tre gjykatës, ndërsa drejtësinë në këto raste e ndajnë tetë gjykatës të tjerë, që të gjithë maqedonas. Duke shpjeguar se gjykatësit e krimit të organizuar emërohen një herë dhe mbeten në detyrë deri në daljen në pension ose deri sa të jenë të aftë për të punuar, zyrtarët e kësaj gjykate kanë sqaruar se krimi i organizuar kërkon përvojë të madhe dhe shumë edukim në lëminë e jurisprudencës. Sektori i krimit të organizuar pranë Gjykatës Penale të Shkupit, sipas zyrtarëve të kësaj gjykate, është formuar në vitin 2007, që do të thotë se për pesë vjet me radhë, nuk është parë e arsyeshme të angazhohet një gjykatës ose gjykatës-hetues shqiptar.

"Për gjykimin e rasteve të krimit të organizuar janë caktuar tetë gjykatës, ndërsa tre të tjerë janë angazhuar në sektorin e hetimeve të rasteve të krimit të organizuar . Gjykatësit që sot janë në detyrë janë angazhuar në vitin 2007, ndërsa vet natyra e profesionit nuk mundëson shumë ndryshime në strukturën e gjykatësve. Pikërisht këtu duhet kërkuar shpjegimi për mungesën e gjykatësve shqiptarë që merren me krimin e organizuar. Gjithashtu, nuk duhet harruar se vet detyra e gjykatësit të krimeve të rënda kërkon përvojë të madhe dhe edukim të shumtë që fitohet brenda dhe jashtë vendit", arsyetohen në Zyrës për komunikim me opinionin pranë Gjykatës Themelore Shkupi I. Ndërkohë, mbylljen e Gjykatës penale, më saktë sektorit të krimeve të rënda, për shqiptarët, e konfirmojnë edhe gjykatësit shqiptarë dhe juristët që merren me çështjet penale. Duke kërkuar anonimitet, ata kanë folur për mbylljen totale të sektorit të krimit të organizuar për shqiptarët. Sipas tyre, jo vetëm që nuk është angazhuar asnjë gjykatës shqiptar, por "te krimet e rënda nuk mund të gjendet asnjë referent shqiptar".

"Mbyllja e këtij sektori nga shqiptarët dhe dënimet e mëdha që i shqiptojnë gjykatësit në fjalë, kanë bërë që pothuajse të gjithë shqiptarët të mos kenë besim në drejtësi. Mbi 90 për qind e gjykimeve që këta gjykatës i kanë shqiptuar në rastet kur kemi të bëjmë me krime të mëdha, e që janë të dyshimtë për shqiptarët, kanë përfunduar me 'burgim të përjetshëm'", thonë gjykatësit shqiptarë.

"Megjithëse funksionon 5 vite, Sektori i krimit të organizuar në kuadër të Gjykatës Penale të Shkupit mbetet plotësisht i mbyllur për shqiptarët. Me përgjegjësinë më të madhe mund t'ju them se në këtë sektor, shqiptar nuk mund të gjendet as në detyrën më të ulët, siç është ajo e daktilografes ose referentëve", është shprehur një ish-gjykatës shqiptar, që ka qenë i angazhuar në gjykatën e kundërvajtjeve. Ai demanton se shqiptarët nuk kanë kuadro të gjykatësve që mund të gjykojnë ose hetojnë krimet e mëdha në vend. Ndërkohë, duke mos dashur të komentojnë mungesën e shqiptarëve në Sektorin e krimit të organizuar, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se përfaqësimi i shqiptarëve edhe në këtë sektor të rëndësishëm mund të rritet pas vitit 2013, kur edhe hyjnë në fuqi ndryshimet e reja ligjore, ndryshime këto me të cilat gjykatësit dhe prokurorët e rinj duhet të kenë kaluar akademinë përkatëse. Sipas tyre, përqindja e shqiptarëve viteve të fundit ka shënuar një rritjet të caktuar, megjithatë mbetet edhe shumë për t'u punuar. (Evis Halili/KOHA)



Lajmet e funditTë rëndomta