“Gjatë kohës së festës ortodokse Pashkët, një nga festat më të shenjta të krishterëve këtu, maqedonasit ishin në zi, për shkak të vrasjes së pesë bashkëkombësve të tyre, në një situatë kur ka spekulime se vrasësit janë nga etniteti shqiptar, me ç`rast janë paralajmëruar shqetësimet për një raund të ri të dhunës midis komuniteteve”, shkruan gazeta “Nju Jork Tajms”, duke raportuar nga Sofja përmes korrespodentit të saj në Ballkan, Metju Brunvaser në një shkrim me titull “Vrasjet po rrisin tensionet etnike në Maqedoni”.
Sipas gazetës NYT, vendi ishte i përfshirë në tensione gjatë fundjavës, derisa policia po kërkon vrasësit dhe motivet e mundshme.
“Edhe pse nuk ka dëshmi se vrasja është e lidhur me tensionet etnike apo me dy episodet e dhunës etnike gjatë këtij viti, policia për të ulur tensionet ka dalë në terren të premten, derisa demonstruesit e nevrikosur kanë bllokuar rrugën, kanë thyer xhama të makinave dhe kanë gjuajtur gurë në drejtim të autobusëve”, thuhet në tekstin e gazetës.
NYT citon deklaratën e ministres së MPB-së, Jankullovka për mungesën e informatës për përkatësinë etnike të vrasësve.
Gazeta rikujton vrasjen në Gostivari, kur një polic që nuk ishte në detyrë vrau dy shqiptarë etnik, duke shtuar se këto vrasje shkaktuan demonstrata disaditëshe dhe rrahje midis të rinjve me shufra hekuri, shkopinj dhe thika, duke shkaktuar edhe një varg lëndimesh.
“Gjykata akoma nuk është deklaruar se vrasja në Gostivar është e ndërlidhur me përkatësinë etnike të viktimave të vrara”, shkruan më tej gazeta duke dhënë një pasqyrë mbi pozitën dhe numrin e shqiptarëve, si dhe rikujtimin e konfliktit të vitit 2001, ku ishin vrarë rreth 80 veta.
NYT përmend edhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila siç thuhet nga nxitur shqiptarët që politikisht të integrohen, por ndarja në shoqëri edhe më tej ekziston.
Edhe pse incidenti ka ndodhur në prag të Samitit të NATO-s në Çikago më 20 maj, analistët në Shkup theksojnë se kjo nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi ndaj Maqedonisë, pasi që ata vlerësojnë se vendi nuk do të jetë i ftuar që ti bashkëngjitet Aleancës, për shkak të kontestit rreth emrit me Greqinë.
NYT shkruan se, për shumë shqiptarë në Maqedoni, një pjesë e autonomisë dhe integrimit të premtuar përmes Marrëveshjes së Ohrit do të duhet të realizohet.
“Një numër i madh vlerësojnë se Qeveria ku dominojnë maqedonasit etnik asnjëherë nuk kanë pranuar nevojën për rritjen e të drejtës së përdorimi të gjuhë dhe autonomisë dhe se Qeveria në mënyrë formale respekton Marrëveshjen e Ohrit, pa treguar vullnet politik për implementimin efektiv”, shkruan gazeta amerikane.
Bekim Kadriu, profesor universitar për të Drejtën Ndërkombëtare thekson për gazetën se për këto 10 vite, Qeveria vetëm shtirej se po tenton të integroj grupet etnike, por sipas tij, ky proces po zvarritet. /INA-tetova1


