Qeveria nga njëra anë miraton masa anti-krizë për ndalimin e punësimeve, ndërsa nga ana tjetër për dy vjet ka punësuar 50-të mijë persona në administratën publike, prej të cilëve as 5-së për qind nuk janë shqiptarë. Në Raportin për programe ekonomike të cilin Ministria e Financave ia ka dorëzuar Komisionit Evropian ndër të tjera thuhet se administrate shtetërore numëron 165 mijë zyrtarë. Në të njëjtin Raport thuhet se kjo shifër në vitin 2009 ka qenë 115 mijë. Numri i të punësuarve në administratë në vend që të reduktohet, është rritur dukshëm, ndërsa përfaqësimi I drejtë dhe adekuat i shqiptarëve shkon nga kahu i kundërt.
Deputetja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska tha se vetëm për dy vjet numri i administratës është rritur për 50-të mijë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin privat është ulur për 40-të mijë, ndërsa kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski ia ndërpreu fjalën me arsyetimin se i ka mbaruar koha e paraparë.
Njëmbëdhjetë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike është tepër i ulët, madje dhjetëra institucione shtetërorë nuk kanë të punësuar asnjë shqiptar.
Deputeti i Rilindjes Demokratike Shqiptare (RDK) Izet Zeqiri thotë për “Lajm” se VMRO-ja nëpërmjet administratës publike dhe subvencioneve arrin të kontrollojë një grup të madh të forcave. “Ata ndërtojnë kanalin e shfrytëzimit të parave, ndërkaq me vite nuk i sistemojnë dot një mijë të punësuar nëpërmjet Sekretariatit të Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Zeqiri, duke shtuar se respektimi i plotë dhe konsekuent i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të shqiptareve nuk respektohet as në organet shtetërore e as në ndërmarrjet publike. “ Punësimi i shqiptarëve në vitin 2011 në krahasim me vitin 2010 është rritur vetëm për 0,3 për qind, ndërsa i maqedonasve është rritur për 0, 9 për qind. Problemi tjetër është mos shpërndarja e të punësuarve në Sekretariatin e Marrëveshjes së Ohrit , ku mbi një mijë të punësuar rrinë në shtëpi dhe nuk punojnë por realizojnë të ardhura”, thotë ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha thotë se në dy vitet e fundit kanë qenë në fuqi masat anti-krizë që i miratoi qeveria për ndalimin e punësimeve të reja dhe nuk ka pas punësime për veç programeve K5 për përfaqësim të drejtë dhe adekuat si dhe programit NPA për BE-në. “Punësimet në administratë kanë qenë publike dhe janë realizuar nëpërmjet agjencisë për punësime”, thotë ai.
Me numrin e të punësuarve në administratën publike gjithnjë është manipuluar, ndërkaq rreth 65 për qind e buxhetit të Qeverisë harxhohet për rrogat e të punësuarve, pensioneve dhe ndihmave sociale. Të gjitha Raportet që kanë ardhur nga Komisioni Evropian kanë pas vërejtje në lidhje me funksionimin e administratës publike.
Në të gjitha konkurset që po shpallen kohëve të fundit nga Institucionet shtetërore po pranohen vetëm maqedonas. Para pak ditësh në Spitalin “8 shtatori”, ish spitali ushtarak u punësuan 16 mjekë, prej të cilëve asnjëri nuk ishte shqiptar. Po ashtu edhe në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme për pranimin e 300 policëve, vështirë se do të pranohen shqiptarë, pasi kreu i kësaj ministrie Gordana Jankullovska veç më e paralajmëroi një gjë të tillë.
RDK: Shqiptarët po e pësojnë nga ligjet e votuara nga deputetët e BDI-së
Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) nëpërmjet një reagimi ka numëruar faktet për mos punësimin e shqiptarëve në institucionet shëndetësore, të cilat e kanë bazën tek Ligji i ri për shëndetësi, i votuar nga VMRO dhe BDI. “Fakti që nga 16 mjekë të punësuar në Spitalin “8 Shtatori” nuk ka asnjë shqiptar është vetëm një problem i vetëm. Fakti se shqiptarët po injorohen në konkursin e fundit të punësimit të 200 punonjësve shëndetësor, është një pjesë e problemit. Fakt është se kjo do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen - bazuar në ligjin e ri të shëndetësisë, të votuar nga VMRO dhe BDI, që nuk merr parasysh përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”, thuhet në reagimin e RDK-së. Ata akuzojnë BDI-në se po udhëheq procese të mëdha politike që jo çdo kush prej shqiptarëve mund t’i bëj, sepse siç thonë ata “të bëhesh instrument për realizimin e politikave diskriminuese të VMRO-së ndaj shqiptarëve dhe pasaportë e saj për shmangien e kritikave ndërkombëtare, këtë me të vërtetë se nuk mund ta bëjë secili nga shqiptarët!”.
/lajmpress/


