Të kontaktuar nga "KOHA", myftinjtë e këtyre qyteteve pohojnë se pavarësisht faktit se pikënisja e protestave është pas daljes nga xhamitë, nuk janë në dijeni për zhvillimin e tyre. Sipas informacioneve të rrjeteve sociale protestat do të zhvillohen me moton "Stop Rasteve të Montuara".
Myftiu i Strugës, Ferat Polisi, thotë se njoftimet për protesta të mundshme i kanë marrë nga mediat dhe rrjetet e ndryshme sociale. Zyrtarisht askush nuk na ka konsultuar për protesta, nuk jemi në dijeni, thotë myftiu. "Në kemi organizuar protesta, siç ishte ajo për Karnavalet e Vevçanit, por për këto ngjarjet e fundit - konsideroj se në vend të protestave ka edhe mekanizma të tjerë për të shprehur revoltën për situatën e krijuar. Gjithsesi, hoxhallarët nuk do të predikojnë as pro dhe as kundër zhvillimit të tyre", thotë Polisi. Në myftinitë e Tetovës dhe Gostivarit, përgjigjen shkurt se nuk janë në dijeni të zhvillimit të protestave, që priten të mbahen një javë pas protestës së zhvilluar në Shkup nga besimtarë myslimanë. Të rezervuar me komente janë edhe në Bashkësinë Islame dhe në Myftininë e Shkupit. Ndërkohë që kreu i shtetit, Gjorgji Ivanov ka apeluar që protestat të jenë brenda kufijve të mirësjelljes publike. Ivanov ka deklaruar se protesta është e drejtë demokratike, por për çështjet të cilat i përkasin gjykatës nuk mund të tregohet qëndrimi përmes një forme të tillë. "Është e nevojshme që gjykata të lihet që të sjellë vendime të paanshme në pajtim me ligjet, institucionet kompetente po i kryejnë aktivitetet e tyre, në kuadër të kompetencave. Ka çështje për të cilat nuk mund të tregohet revoltë dhe qëndrim i tillë, dhe kjo është puna e gjykatës. Kur kemi një vrasje makabre, duhet ta lëmë gjykatën të sjellë vendim të paanshëm në pajtim me ligjet që ndodh edhe në çdo vend kur ka akt të tillë. Prandaj, apeli është që secili ta tregojë qëndrimin e tij, megjithatë çështjet të cilat janë në interesin tonë, kur si shtet duhet të tregojmë seriozitet dhe si kandidat edhe për BE-në edhe për NATO-n, duhet të tregojmë kapacitet dhe në mënyrë institucionale të përballemi me problemet e tilla", ka thënë presidenti Ivanov. Nga ana tjetër, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska ka pohuar se po ndjekin të gjitha mesazhet që përçohen në rrjetet sociale lidhur me organizimin e këtyre aktiviteteve të paralajmëruara. Për Jankullovskën, vokabulari që po përdoret është i pahijshëm dhe ka bërë me dije se MPB do të ndërmarrë të gjitha masat për të mbrojtur sundimin e së drejtës.
"Do të reagojmë ndaj çdokujt që do të shkelë rendin dhe ligjin", ka thënë ministrja. Por pas paralajmërimeve për protesta nga pjesa shqiptare, janë shfaqur edhe njoftime për protesta paralele - kundërprotesta nga pjesa maqedonase, si ajo me parullën "Protesta para qeverisë", ku ndër të tjera i apelohet opinionit për të protestuar të shtunën para Qeverisë. Evis HALILI/KOHA


