VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski ka dorëzuar pranë Parlamentit Propozim-ligjin për të drejtat e posaçme për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe anëtarët e familjeve të tyre, që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001.
Me këtë ligj anashkalohet dhe ndalohet çdo lloj përkrahje dhe përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas këtij propozim-ligji, do të rregullohet të drejtat e plota dhe speciale për të gjithë pjesëtarët e forcave të sigurisë që kanë marrë pjesë në mbrojtjen e sovranitetit të Maqedonisë. Këtu hyjnë pjesëtarët dhe ushtarët e graduar të ARM-së, pjesëtarët e uniformuar të Ministrisë së Brendshme (MPB), pjesëtarët rezervë të ARM dhe MPB-së, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në mbrojtjen e pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit territorial të Maqedonisë dhe parandalimin për rrënimin e dhunshëm të institucioneve demokratike dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Këtë të drejtë përfitojnë të gjithë ata të angazhuar nga periudha prej 1 janar 2000 deri më 31 dhjetor 2001.
Por, me një nen të posaçëm anashkalohet mbrojtja dhe përkujdesja institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
“Nuk mund të realizojnë të drejtat përmes këtij ligji personat që kanë qenë pjesëtarë, ndihmues apo bashkëpunëtor të ekstremistëve të armatosur apo grupeve paramilitare, gjegjësisht personat kundër të cilëve udhëhiqen procedura penale apo që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm për armëmbajtje pa leje dhe materiale shpërthyese, apo personat me vepra penale kundër shtetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Po ashtu kjo e drejtë nuk mundësohet edhe për familjarët e këtyre personave”, thuhet në një nen të këtij ligji.
Me propozim-ligjin e ri, të gjithë pjesëtarëve të forcave të sigurisë u mundësohen shërbime shëndetësore falas, punësime, sigurim banese, ndihmë e rregullt mujore financiare, të drejta speciale në arsimim për familjarët, pension familjar, përvojë të dyfishtë të punës, përkujdesje nëpër shtëpi të pleqve, përmendore në lokacionet ku kanë rënë pjesëtarët e forcave të sigurisë gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe dekorimi i tyre.
Propozim-ligji do të hyjë në procedurë parlamentare më 22 gusht, menjëherë pas kthimit të deputetëve nga pushimet verore.
BDI theksoi se nuk është njohur me këtë propozim-ligj dhe se do të shqyrtohet ai dhe do të ketë reagim të duhur në momentin e duhur kur ai do ti prezantohet partive politike.
Ky propozim i VMRO-DPMNE në vazhdën e reagimit të kësaj partie kundër ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi për shkak të homazheve në varrezat e UÇK-së në Sllupçan të Kumanovës, me praninë edhe të oficerëve të ARM-së. (INA)
VMRO me propozim-ligj që anashkalon UÇK-në
Me Ligjin për përkujdesje institucionale për forcat shtetërore të sigurisë pjesë e konfliktit 2001, anashkalohet dhe ndalohet çdo lloj përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
| Lajmet e fundit | Të rëndomta |


