Nga zjarri i vënë janë djegur vetëm tendat që u shërbejnë për hije dhe strehë besimtarëve myslimanë të Strugës, të cilët janë të detyruar të falin namazin nën qiell të hapur përderisa të rindërtohet plotësisht xhamia, e cila në këtë qytet rezulton më e vjetra.
Sipas informatave që jep policia, zjarri është shkaktuar pas largimit nga xhamia të besimtarëve që kishin falur namazin e jacisë.
Imami i xhamisë “Mustafa Çelevi”, Akim Hoxha ka konfirmuar për gazetën “Zhurnal Plus” djegien e qëllimshme të tendave, por nuk e di se vepër e kujt mund të jetë.
“Po tendat janë djegur, janë djegur me qëllim, por se kush i ka djegur nuk e dimë. Dëme të tjera në objektin e xhamisë përveç tendave nuk ka”, deklaroi imami Akim Hoxha.
Por nga policia e Strugës demantojnë imamin Hoxha, duke thënë se zjarri ka rënë vetvetiu, megjithatë kanë nisur hetimet për të zbardhur tërësisht rastin.
“Ajo çka është e sigurt është se nuk ka pasur shkaktim të zjarrit nga individë, por zjarri është vetëshkaktuar. Për momentin punojmë në zbardhjen e plotë të shkaqeve nga të cilat është shkaktuar zjarri, por sigurt nuk është shkaktuar nga njerëzit”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, Stefan Dimeski.


