PRE05242013

Perditesimi i fundit03:23:04 PD

Back Opinion Opinion Anarkia patriotike dhe morale

Anarkia patriotike dhe morale

  • PDF

Xhelal Neziri

Paralelisht me valën e shtrenjtimeve pushteti mundohet të injektojë një dozë e tepruar e patriotizmit dhe nacionalizmit te qytetarët e Maqedonisë. Në këtë periudhë kur gjithçka shtrenjtohet si pasojë e hajnisë shtetërore, vetëm pallavrave politike u bie çmimi dhe shiten shumë lirë.

Komunikimet e planifikuara strategjike të partive në pushtet tani më nuk mund të cilësohen thjeshtë vetëm si propagandë pasi qytetarin e dërmuar e kanë shndërruar në një objekt eksperimentimi të vazhdueshëm.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe i derivateve të naftës sollën deri te çmimet marramendëse të disa produkteve ushqimore bazë, të cilat do t'ua pamundësojnë qytetarëve të lidhin fillimin me fundin e muajit. Protestat kundër këtyre shtrenjtimeve, të cilat ishin një reagim normal në një vend jonormal, dalëngadalë po futen nën hijen e madhe patriotike dhe nacionaliste që po krijohet nga hienat e pushtetit. Kriza qeveritare është bërë një nga problemet kryesore në opinion, duke harruar hallet e njerëzve që luftojnë për mbijetesë si pasojë e hajnisë sistematike. Përveç çmimeve të larta, pushteti po tregohet i aftë të na imponojë edhe temat prioritare që duhet të debatohen në opinion, në media apo edhe në çajtore. Me mjeshtëri hoqën nga debati publik çështjen e shtrenjtimeve dhe e zëvendësuan me krizën qeveritare, ku patriotizmi dhe nacionalizmi i rrejshëm i pushtetarëve përdoret si celofan për hajninë e tyre.

Pushteti me paramendim po krijon një anarki prioritetesh në opinion, me ç'rast tenton që nacionalizmin falco ta imponojë si më të rëndësishëm sesa luftën për mbijetesë të pjesës më të madhe të individëve. Në këtë ambient të turbullt nuk është edhe aq me interes të sheshitet as raporti i ardhshëm i progresit të Komisionit Evropian (KE) ku vendi sërish pritet të marrë kritika për nivelin e lartë të korrupsionit, për gjykatat e partizuara, për mos implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për mosrespektimin e parimeve demokratike në funksionimin e shtetit. Në vend të këtyre segmenteve, opinionit i hidhet pluhur syve me paralajmërimin e pushtetit se nuk do të pranojë këtë raport pa atributin "maqedonas". Çështja e emrit, si parakusht për integrimin e vendit në BE dhe NATO, po ashtu ka rënë nga debati publik. Sikur të gjithë heshtazi të jenë pajtuar të jetojnë në një shtet të izoluar nga vlerat e mirëfillta demokratike që ndajnë këto struktura dhe të pajtohen të kalben në një vend ku fjala e "nënës parti" dhe e "liderit të madh" të jetë mbi çdo ligj dhe institucion të vendit.

Nga lista e prioriteteve që moti ka ra edhe Marrëveshja e Ohrit, me ç'rast nuk dihet nëse është implementuar edhe ai "pesë përqindëshi" i mbetur i saj. Askush, përveç pushtetarëve, nuk e di se çfarë përmban "95-përqindëshi" i implementuar dhe ky "pesë përqindëshi" i mbetur i këtij dokumenti. Në ditën e shënimit të 11-vjetorit të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje pjesa më e madhe e shqiptarëve të anketuar nga ana e disa medive nuk e dinin se çfarë festohet.

Patriotizmi dhe nacionalizmi i rrejshëm ka zënë vendin e debatit dhe analizave për korrupsionin e të zgjedhurve tanë, i cili realisht është burim i shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe derivateve të naftës, të cilat do të kenë efektin domino ndaj të gjitha produkteve tjera themelore për të mbijetuar. Korrupsion i cili nënkupton edhe pazarin me fatin e të gjallëve dhe me eshtrat e të vdekurve. Në përjashtim të një pjese të vogël te mediave, askush nuk e ndjek procesin gjyqësor për rastin "Telekom" që është duke u zhvilluar në SHBA lidhur me korrupsionin e dy funksionarëve nga Maqedonia, prej të cilëve njëri është shqiptar dhe ende është në pozitë të lartë në pushtet.

Për t'i shpëtuar turpit dhe për ta vazhduar jetëgjatësinë e tyre politike, ai dhe partia e tij sërish i kthehen "shportës magjike" që i pajis me patriotizëm dhe nacionalizëm të përkohshëm, i cili do të zgjasë deri në fitimin e legjitimiteteve të ardhshme për të arritur pozita të menaxhojnë tenderë të rinj.

Realisht, faji për këtë katrahurë nuk qëndron te këto politikanë xhambazë por te kriza morale kolektive, që ka shkatërruar çdo refleks reagimi dhe ka përforcuar hipokrizinë individuale te shqiptarët. Në dekadën e fundit një pjesë e madhe e shqiptarëve janë "ketmanizuar", apo siç do të thoshte Çasllav Millosh "për shumicën e njerëzve, nevoja për të jetuar në tension të vazhdueshëm dhe vigjilencë është torturë, por shumë intelektualë e pranojnë këtë me një farë kënaqësie mazohiste”.

Shqiptarët edhe sot e kësaj dite ballafaqohen me anarkitë që përshkroi Fan Noli në fjalimin e tij në parlamentin shqiptar, të mbajtur më 1923. Njëlloj si para 90-viteve, sot te shqiptarët kemi anarkinë morale, ku "karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha". Kemi edhe anarkinë patriotike, me ç'rast "brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor".

Kur jemi te kriza qeveritare, me ç'rast partia shqiptare paralajmëron braktisjen e pushtetit, sërish mund t'i kthehemi Nolit që thotë se "kolltukofagët janë krimba të verdhë me kokë të zezë që rriten me plagët e infektuara të shqiptarëve në lëngim, nëse i këpuseh që mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë".




Lajmet e funditTë rëndomta