PRE05242013

Perditesimi i fundit09:58:50 MD

Back Opinion Opinion Të mëdhenj dhe të harruar

Të mëdhenj dhe të harruar

  • PDF

Salajdin SALIHU

Jo vetëm rehabilitim, por edhe kompensim të padrejtësisë së bërë ndaj tyre. Një kërkesë legjitime e zjarrsjellësve të sprovuar nëpër testet e torturës për shkak të bindjeve të tyre politike.

Rehabilitimi pa kompensim të padrejtësisë është farsë dhunuesish e persekutorësh të rinj dhe e keqja më e madhe për një shtet e shoqëri. Prandaj, bëj ftesë të çmohet e kaluara, sepse i detyrohemi asaj; të mos harrohet e keqja, sepse harresa e riciklon të keqen në të tashmen; të dënohen moralisht keqbërësit, sepse do ta përsërisin të keqen; të ruhet kujtesa, sepse amnezia na bën qenie të së tashmes së përjetshme. Bëj ftesë për hir breznish dhe të ardhmes. Bëj ftesën, që ngjan si predikim moralizues, për trazim të ndërgjegjes ndaj të harruarve padrejtësisht, të cilët, në vend të mosmirënjohjes meritojnë respekt e adhurim. Bëj ftesë deri te mendjet e lira dhe jo te të zënët në flagrancë që arsyetojnë ligësinë. Bëj ftesë për të treguar respekt ndaj atyre që kanë mbajtur të pashuar zjarrin e lirisë në kushte terrori dhe hipokrizie kolektive. Të jesh mosmirënjohës apo asnjanës ndaj tyre do të thotë të mos e meritosh lirinë.

Ata që nuk jetojnë në lumturinë e së tashmes së përjetshme, pra të ndërgjegjshmit, nuk i harrojnë fatprerët, flijimet e bëra, tmerret e përjetuara, traumat gjurmëlënëse, dashuritë e shndërruara në fatalitet, prindërit e vuajtur për mungesën e të dashurve, vuajtjen e grave nga mungesa e burrave, lotët e tharë të nënave, fëmijët që nuk i kanë shijuar miklimet prindërore. Të ndërgjegjshmit dëshpërohen me mospërfilljes e shoqërisë ndaj sjellësve të zjarrit të dyshimit kundër sistemit të gënjeshtërt. Por ky shtet i ka mbyllur sytë dhe veshët. Nuk dëshiron t’i dëgjojë dhe as t’i sheh ata. Shoqëria është mosmirënjohëse ose asnjanëse dhe i trajton si kategori parazitësh. Nuk do të dijë se vetëflijimi për lirinë e të tjerëve është akt sipëror. Prandaj, së paku, duhet respektuar të vuajturit nëpër burgje famëkeqe. Duhet respektuar për hir të vetvetes. Për hir të dëshmimit se meritojmë lirinë si gjendje aktive.

Të burgosurit politik, pavarësisht se si i kanë artikuluar kërkesat e tyre, kanë qenë forca humanitare pa të cilën bota e sotme do të ishte pronë e tërësishme e keqbërësve. Bota nuk do të ishte siç është pa ndjenjën romantike se e keqja duhet luftuar vazhdimisht, madje edhe kur nuk mposhtet kurrë, me qëllim që të mos bëhet dominuese. Prandaj, duhet dëgjuar disidentët. Kanë folur kur ka qenë vështirë të heshtësh dhe vizioni i tyre ka qenë i drejtë. Forca e tyre humanitare ka vënë në lëvizje mendjet e fjetura, i është kundërvënë dhe e ka tronditur sistemin e krimit, thellësisht antinjerëzor. Ka pasur në mesin e të burgosurve politikë të djathtë e të majtë, por synimi i tyre, në thelb, ka qenë i njëjtë: bota në të cilën jetojmë të jetë botë e njerëzve të dinjitetshëm dhe të lirë. Ka pasur në mesin e tyre edhe që janë thyer prej torturave, por, në fund të fundit, ishin njerëz dhe, siç thuhet, asgjë njerëzore nuk është e huaj për njeriun. Është lehtë t’i gjykosh nga kolltuku i butë dhe i ngrohtë, për sa kohë nuk e ke provuar shtrëngimin e mengenesë, nuk e ke ndjerë dhimbjen e shkaktuar nga depërtimi i gjilpërës së hollë nëpër thonj, nuk e ke përjetuar elektroshokun apo goditjen kafshërore në pjesët vitale të trupit; përderisa nuk ke kaluar nëpër testet e torturës...

Bota demokratike i kujton dhe respekton zjarrësjellësit që nuk arritën të ngrohen nga zjarri i lirisë së synuar. I respekton dhe adhuron ata që mbijetuan. E nderon veprën, misionin dhe vuajtjen e tyre. Pa këtë respekt dhe adhurim asnjë shtet nuk mund të quhet demokratik dhe asnjë shoqëri nuk mund të jetë e emancipuar në frymën e humanizmit.

Disidentët politikë të Evropës Qendrore sot janë autoritete morale. Ne nuk ditëm t’i afirmojmë si të tillë. Shumë prej tyre janë njerëz të harruar, të përvuajtur skajshmërisht. Gjithsesi edhe për fajin e ish-të dënuarve që sot kanë pozita politike, por edhe kujtesë të fshirë. Në botën demokratike fjala u ka peshë në shoqëri dhe trand asnjanësinë qytetare. Nuk lejohet përçmimi i atyre që për humanizimin e botës dhe pacifikimin e shoqërisë me individin rrezikuan me atë që nuk ka çmim - jetën. Ata kundërshtohen, por nuk konsiderohen të pavlefshëm në shoqëri. Ka masë kritike dhe solidarizuese me ta, për sa kohë ka kujtesë solide. Ata që nuk jetojnë në lumturinë e së tashmes së përjetshme nuk harrojnë sakrificën e atyre që mundësuan ardhjen e ditëve më të mira. Gjithashtu, bota e qytetëruar fal, por nuk harron kurrë. Nuk harron jo për hakmarrje, por për mospërsëritjen e së keqes. Të denoncosh të keqen do të thotë të mos pengosh zgjerimin e perandorisë së saj. Ata që e kanë lexuar me kujdes e dashuri “Faustin” e Gëtes doemos i kanë fiksuar në kujtesë vargjet: “Ja përfundimi i mbramë i urtësisë: vetëm ai meriton lirinë e jetën që rreh ditë për ditë t’i fitojë”...

Kam shkruar dhe herë të tjera për të burgosurit politikë. Kam gjykuar se duke qenë të padrejtë ndaj tyre nuk përmbushim obligimin tonë qytetar e intelektual dhe nuk arrijmë të dëshmojmë moralin tonë. Kam shkruar për sa kohë në këtë shtet, përgjatë dy dhjetëvjeçarëve, kanë ndryshuar shumë gjëra, për të mirë ose për të keq, por ka mbetur e pandryshueshme logjika e xhelatit në raport me viktimën. Duke shkruar për ta kujtojmë atë që dikush tenton ta harrojë, siç thotë disidenti Predrag Matvejeviqi (që ka shkruar shumë për rehabilitimin dhe njihet si autor letrash të shumta në mbrojtje të intelektualëve të persekutuar), për të cilin “rehabilitimi i vërtetë nuk duhet vetëm që të anulojë dënimin: duhet t’i gjykojë edhe ata për shkakun e të cilëve erdhi tek dënimi”. Vetëm si i këtillë e përcakton lirinë e një shoqërie. Madje, duhet kompensim i padrejtësisë edhe ndaj familjeve të të burgosurve politikë: të dëmtuara e të traumatizuara. Kush t’i zhdëmtojë ata? Ata që i persekutuan dhe që duan emrat e tyre të fshihen nga listat e krimit? Ata që përfitojnë në emër të tyre? Çfarë shteti është ky që harxhon gjithë ato para për gjëra koti, kur varfanjakët e dikurshëm shëtisin me vetura luksoze në emër të patriotizmit, ndërkaq ata që meritojnë gjithçka nuk arrijnë të gëzojnë një pension të mallkuar?

Njoh disa zjarrsjellës: njoh njërin nga më të përvuajturit në burgjet sllave, Rafi Halilin dhe familjen e tij të vuajtur e të fisme. Pak kush pyet si jeton ai. E kam njohur mirë Shaban Xheladinin, një burrë i urtë dhe i dashur, që gëzohej si fëmijë për suksesin e të rinjve. Kam njohur mësuesin Sejdi Idrizi që pati përjetuar tmerrin, por jo dhe ligështimin. Ishte monumentale qetësia dhe gjykimi i tij i mprehtë për t’i dhënë zgjidhje problemit më të pazgjidhshëm. Njoh familjen e tij që ka vuajtur për shkak të dënimit të qenies më të pafajshme që ka parë syri im. E kam pasur mësues Hysni Abdullahun, këtë model adhurimi për nxënësit, një njeri me njohje të thella për gjuhën shqipe, që kishte pasur si mësues apo si shok shkolle emrat më të njohur të kulturës shqiptare. Lindi në kohë të trazuar që i pamundësoi të ishte njëri nga pedagogët më të nderuar universitar apo shkencëtari referencial në shkencën e gjuhësisë. Njoh Bejtullah Ademin, i cili edhe kur merrej me politikë nuk e humbi ekuilibrimin njerëzor. Në ndërgjegjen e tij politika asnjëherë nuk u konceptua pa një bazament moral dhe human. Shpëtim Pollozhanin e njoh si njeri publik dhe e çmoj për urtësinë që ka. Flet pa doreza sepse është njeri i drejtë. Ka edhe shumë e shumë të tjerë që i njoh dhe i kam pasur apo i kam miq të mirë, edhe pse mund të kishim pasur botëshikim të ndryshëm mbi botën në të cilën jetojmë. Sigurisht janë të shumtë dhe nuk mund t’i përmend të gjithë. Pasi kanë vuajtur për fjalën dhe mendimin e lirë gjithmonë e kanë respektuar mendimin e kundërt dhe i kanë mbrojtur ata me të cilët nuk pajtohen. Ndjej dhembje për ta, për pasardhësit e tyre. Nuk mund të bëj më shumë se sa kaq. Jam zë qytetar dhe nuk kam asnjë mekanizëm për të ndryshuar gjendjen. Do të isha i lumtur dhe shumë falënderues ndaj njerëzve të politikës që do të bëjnë atë që askush nuk e ka bërë deri tani për zjarrsjellësit. Nuk do të harroj t’i falënderoj në çastin kur do të zgjidhin këtë problem. Le të bëjnë edhe marketing politik me shkrimin tim. E rëndësishme është të bëjnë atë që s’e ka bërë askush deri tani për ata që meritojnë më shumë se sa kanë.




Lajmet e funditTë rëndomta