SHT05252013

Perditesimi i fundit02:01:14 MD

Back Home

Bashkë me lâlën shkojm n'xhamie…

  • PDF

Çdo kush ndien nostalgji në këtë muaj. Secili kërkon kohën e tij të humbur dhe përkujton momentin më të mirë, duke mos ditur se ndoshta fjala më e mirë ende nuk është thënë dhe se çasti më i bukur ende nuk është jetuar. Duke rikujtuar fëmijërinë mu si kemi kujtuar këtë këngë, së cilës nga shkaqe thjesht tematike ia ndërruam vargjet, na kujtohet të gjithëve lâla ynë. Lâlë në gjuhën tonë emërtohet babai, vëllai më i madh ose xhaxhai më i vogël, por edhe guri. Në gjuhën e vjetër turke Lâl është mësuesi i posaçëm nga ata që mësonin fëmijët e vezirëve dhe të sulltanëve.

Gjithë kujtojmë Lâlën tonë, i cili ishte zakonisht xhaxhai i vogël që na mësonte dynjanë. Kujtojmë heroin e fëmijërisë dhe qëndresën prej guri që ka pasur ai duke mbrojtur dhe mësuar nipin. Ndoshta njëri nga heronjtë e rrallë jo-mysliman të myslimanëve Ebu Talibi-xhaxhai i Pejgamberit, që deri në fund të jetës së tij e mbrojti ate, është i pari kujtim i përbashkët për lâlën. Lâla na mësoi shumë për jetën, por ishte i pari që na mori me vete në xhami e na mësoi si merret avdesi dhe si falet namazi. 

Xhamia si objekti qendror i jetës fetare është vendi ku më shumë vërehet gjallëria që sjell Ramazani. Zakonisht gjatë këtij muaji organizohen ligjërata fetare me tema të ndryshme, që kryesisht zhvillohen para namazit të teravisë, por edhe në kohët e namazeve të tjera ditore. Nëpër vende të ndryshme organizohen edhe ndeja të posaçme në mbrëmje, kurse si zakonisht shpeshtohet edhe leximi i Kuranit Fisnik. 

Namazi i posaçëm gjatë këtij muajit të bekuar quhet namaz i teravisë, nga fjala teravih që në arabisht d.m.th. pushim. Vlerën e kësaj lutjeje të posaçme e kuptojmë duke pasur parasysh porosinë e të Dërguarit të Perëndisë: "Kush ngrihet për t'u falur në muajin e Ramazanit me besim duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet që i ka bërë më parë". Mënyra më e mirë e kryerjes së këtij namazi është nga dy reqate dhe me pushime ndërmjet. Ky është namaz vullnetar, në dallim të pesë lutjeve obligative ditore, që janë një prej kushteve të Islamit, bile edhe shtyllë e tij.

Agjërimi po ashtu përbëhet nga “gëzimi i parë i agjëruesit” - Iftari, i cili duhet pritur dhe kryer me kohë. Fillimin e agjërimit, të cilin e shënon imsaku dhe në të cilin hahet sehuri/syfyri, duhet vonuar. Si vërejtje për neve kur mund të mendojmë se është më mirë të flemë më shumë sesa të zgjohemi e të bëjmë syfyrin, qëndron fjala e të Dërguarit të Zotit: Syfyri është përplot bereqet.

Amviset tona anekënd botës kanë këmbim të madh reciprok të recetave për gjellëra dhe specialitete të ndryshme që përgatiten enkas për këtë muaj. Te ne paçja, hoshafi dhe mantiat, mes tjerash janë specialitete që i përkujtojmë çdo vit për Ramazan, por globalizimi i botës në kohën e sotme na mundëson që më lehtë të sigurojmë edhe ndonjë hurmë për iftar.




Lajmet e funditTë rëndomta