- Kryetarë partish, kryetarë komunash, deputetë e politikanë do të plotësojnë një nga obligimet fetare, duke agjëruar dhe duke I respektuar të gjitha traditat që i kërkon muaj i shenjtë I Ramazanit, si falja e teravisë, vizitat nëpër miq, iftaret e përbashkëta, etj. Dita e gjatë dhe temperaturat e larta që zotërojnë në Maqedoni, nuk i pengon politikanët shqiptarë që të agjërojnë dhe të plotësojnë një obligim fetar, pasi siç thonë edhe vetë ata, besimi në Zot është mbi të gjitha.
Të pyetur nga “Lajm” ata pohuan, se edhe sivjet, njëjtë me vitet e tjera, ata nuk do të heqin dorë nga kjo traditë dhe do ti respektojnë me përpikëri të gjitha kërkesat e këtij muaji të shenjtë.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti edhe sivjet do të agjërojë dhe do të përmbushë një nga obligimet e fesë islame. Ai si një besimtar I devotshëm do të përpiqet që Brenda mundësive të falë edhe teravitë dhe të gjitha obligimet e tjera që lidhen me këtë muaj të shenjtë. Edhe kreu i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi do të agjërojë dhe do ti falë teravitë në xhaminë e lagjes së tij, aty ku shkon zakonisht. “Kryetari Thaçi është besimtar dhe rregullisht agjëron. Edhe sivjet njëjtë si vitet e tjera ai do të agjërojë dhe do ti falë teravitë. Teravitë i fal te Eski Xhamia në qendër të Tetovës, pasi edhe aty pranë e ka shtëpinë”, thotë zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi.
Ndërsa lideri i Rilindjes Demokratike Shqiptare (RDK), Rufi Osmani, i cili drejton edhe me Komunën e Gostivarit është ndër intelektualët më besimtar në Maqedoni. “Profesor Rufiu i ndjek të gjitha ritualet fetare. Ai agjëron rregullisht dhe i fal teravitë rregullisht. Edhe sivjet do të veprojë në të njëjtën mënyrë”, thotë zëdhënësi i RDK-së, Artan Dika.
Edhe kryetarët e Komunave do të agjërojnë, madje ka nga ato komuna që gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit askujt nuk do t’i shërbejnë me pije. Po ashtu edhe kryetarët e komunave të Çairit, Tetovës, Studeniçanit, Haraçinës, Bogovinës e Dibrës do të agjërojnë dhe do të përmbushin një nga obligimet e fesë islame.
Edhe deputetët e pyetur nga “Lajm” pohojnë se do të agjërojnë dhe do ti përmbahen të gjitha kërkesave që i kërkon ky muaj I shenjtë. Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi thotë se rregullisht ka agjëruar. “Unë jam djali i hoxhës, ndërsa nëna ime është hafëzë dhe tradicionalisht e kemi kultivuar fenë në familje. Sigurisht që edhe sivjet do të agjërojë, njëjtë me vitet e tjera”, thotë Ibrahimi. Deputeti I BDI-së, Xhevat Ademi thotë se agjërimi është obligim dhe ai përpiqet që të jetë besimtar I mirë. “Kam agjëruar dhe agjëroj duke përmbushur një obligim fetar. Unë përpiqem që të jem besimtar i mirë. Nuk mund të them se do ti fal të gjitha teravitë, për shkak të agjendës sime, por do të përpiqem”, thotë Ademi.
Edhe zëdhënësit e partive e respektojnë fenë dhe planifikojnë ti përmbahen traditave të këtij muaji të shenjtë. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, do të agjëroj , njëjtë si viteve të tjera dhe teravitë do ti falë rregullisht, përjashtim ndonjë ditë kur mund të qëlloj kujdestar në spital. “Deri tash kam agjëruar dhe sërish do të agjëroj. Po ashtu edhe teravitë i fal rregullisht”, thotë Osmani. Edhe zëdhënësi i PDSH-së Luan Tresi thotë se do të agjëroj dhe do ti falë teravitë, njëjtë si viteve të kaluara. Meqë jeton në qendër të Tetovës, teravitë do ti falë te Eski Xhamija, bashkë me xhematin që falet aty. Ndërkaq, zëdhënësi I RDK-së, Artan Dika thotë se ndryshe nga kryetari Osmani që është një besimtar i devotshëm, ai ka pikëpamje liberale, por, siç thotë e respekton shumë fenë.
Merko ndalon ushqimin dhe pijet në komunë gjatë Ramazanit
Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko thotë se agjëron që nga fëmijëria. “Sigurisht që do të agjëroj dhe do ti fal teravitë. Unë agjëroj që fëmijë dhe as që vjen parasysh të mos agjëroj. Por veç kësaj unë kam vendosur edhe një rregull në komunë, që gjatë gjithë muajit Ramazan të mos shërbehet as më pije dhe as me ushqime. Muaj Ramazan është një muaj i shenjtë ndaj dhe i respektojmë të gjithë”, thotë Merko për “Lajm”.


