1 maji nuk festohet në Tetovë, farkëtarët: Askush sot nuk bleu zgara (VIDEO)

Advertisment

Ismailaki Demiri nga qyteti i Tetovës festën e 1 majit e priste me padurim, ai është farkëtar dhe për këtë festë shitja e zgarave atij i sjell përfitime. Por këtë vit zgarat e Ismailakiut kanë ngelur pa u shitur. Ai thotë se nga mëngjesi nuk ka mundur të shesë as edhe një skarë të vetme.

“Askush nuk ka ardhur që të blejë një zgarë, a vjet në këtë kohë kemi shitur vetëm për një maj 15 zgara, vetëm atë ditë, nuk flasim për para 1 majit, vetëm për 1 maj kemi shitur 15 zgara”, tha Ismailaki Demiri, Farkëtar.

Reklame

Dyqani i tij gjendet në çarshinë e Epërme në Tetovë, në rrugën që të dërgon në Banjën e qytetit, vendin më të frekuentuar për 1 maj. Ai thotë se këtë vit nuk ka kaluar asnjë veturë me familjarë e jo më të ketë shitje.

“Nuk kanë dalë pasi nuk kanë, duhet të kenë para të blejnë mish, nuk kanë të rinjtë në këtë rrugë shkonin në banjë, vetura plot rend vetura plot , sot s’kan para kush do dalë punët janë bllokuar”, tha Ismailaki Demiri, Farkëtar.

1 Maji në Tetovë nuk festohet por shëtitorja për në banjën e qytetit është si në ditë të zakonshme, me qytetarë që kanë dalë për vrap apo ecje.
Ndërsa banja e qytetit është pothuajse e boshatisur. Në vendin ku viteve të tjera kërciste muzika, vallja dhe skara, tani mbretëron kjo pamje. Qytetarët e anketuar thonë se është shumë normale që në kohë pandemie të mos ketë njerëz, ata përgëzojnë qytetarët që kanë treguar pjekuri të lartë.

Qytetar: “Unë asnjëherë se kam festuar, s’ke çka feston”

Qytetar: MK “ Mendoj se është përshtatur në bazë të situatës “

Qytetar: “Nuk mendoj se është në rregull pasi që ne jemi mësuar të ketë një atmosferë më festive, njerëzit të dalin, ambientet të jenë plot me njerëz dhe fëmijë që lozin , por megjithatë tani jemi në një periudhë kur nuk e konsiderojmë normale por duhet ta kuptojmë si normale, pasi që ka kaluar një kohë që edhe filluam të ambientohemi në karantinë dhe ajo na duket normale.”

Qytetar: “Shumë normale është, kjo është konform situatës që ka sjell pandemia “

Qytetar: “ Për kohën që jemi është normale, shkaku i pandemisë , nuk do ishte normale sikur të shihnim skara dhe pije.

Ora policore edhe në qytetin e Tetovës ka filluar nga ora 14 dhe do të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit. Ndërsa gjatë ditës së sotme janë shënuar edhe dy të infektuar të ri me Covid 19.