10 kosovarë të bllokuar në Greqi nuk mund ta kalojnë kufirin e RMV-së

10 shtetas të Kosovës kanë mbetur të ngujuar në Greqi. Ata dje kanë tentuar të kthehen në Kosovë përmes kufirit Greqi-Maqedoni, por nuk u është lejuar të kalojnë nga që Maqedonia e Veriut i ka mbyllur dje të gjithë kufinjtë tokësor. Në kufi ua kanë kërkuar një dokument për të konfirmuar se nuk do të qëndrojnë në Maqedoni, por do të kalojnë vetëm transit. Ato po qëndrojnë në një hotel në Greqi 1 km pranë kufirit.

Jemi 8 persona me grupin tem por tash erdhën edhe dy. Për koincidencë edhe këta e kanë pasur fluturimin nga Jordania për në Selanik, u shpreh shtetasi nga Kosova Migjen.

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev tha se rreth 200 qytetarë të huaj po presin që të hyjnë në Maqedoninë e Veriut dhe se po kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemit.

Kemi paralajmërime se janë drejtuar për të hyrë në Maqedoni mbi 200 persona me autobusë dhe automjete privat. Për arsye të ndryshme ato janë bllokuar nëpër pika kufitare të ndryshme dhe policët kufitar janë në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me MPJ dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet që gjatë ditës të arrijnë, tha Naçe Çulev

Burime të TV21 nga MPJ e Kosovës thonë se ky dikaster i ka emrat e 8 personave konkret që ndodhen në Greqi, por jo vetëm të tyre, ka emrat edhe të shumë shtetasve tjerë të Kosovës që gjenden në situata të tilla dhe po punon që në afat sa më të shpejtë të arrihet zgjidhje në interes të të gjitha palëve.

Me situatën janë të njoftuar edhe MPJ e Maqedonisë edhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni. Të dyja institucionet shtetërore në kontinuitet po e ndjekin situatën dhe sapo të jetë e mundur, banorët e Kosovës do të lejohen të shkojnë në vendlindje.