Uran Krasniqi vjen me librin me poezi “Lule mes ndërtimesh të egra”

“Lule mes ndërtimesh të egra”, është tituli i librit me poezi të botuar nga gazetari Uran Krasniqi.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni” në Prishtinë.

Reklame

Krasniqi ka thënë se libri është i përbërë nga dy cikle me nga pesëdhjetë poezi, që do të thotë i ka gjithsejt njëqind poezi. “Për vlerën e krijimtarisë sime s’më takon të flasë mua, le ta vlerësojnë ata që do ta lexojnë. Di vetëm një gjë; janë krijimet e mia, të cilat reflektojnë veç ndjenjen dhe mendjen time”, ka thënë ai.
Redaktori i librit Halil Matoshi ka thënë se fjala poetike e Uran Krasniqit, e bukur për të qenë e ashpër dhe po aq e befasishme, për të qenë shpatë. “Shpatë goje. Për vargjet e tij, nisa të interesohem pasi e lexova poezinë “Kartolinë urimi Peter Handkes”.

Në këtë poezi autori nuk mallkon, por, përmes imazheve nga lufta e Kosovës, krijon panoramën e një kinse-urimi për nobelistin Handke, përmes të cilës, i flet ndërgjegjes së botës. Pamje të vuajtjes njerëzore, të sublimuara te fëmija i masakruar me biberon në gojë, Valmir Deliu, ikonë e luftës së Kosovës. Por, e përbashkëta e poezive tubë në këtë libër, është trishtimi, madje edhe kur autori shkruan për dashurinë, të cilën e realizon në shkrimin, si një univers paralel. Krasniqi, edhe nëse nuk i arrin majat poetike, ai po që është unik si për nga verbi poetik si për diskurs.

Te poezia “Mount Everest”, p.sh. autori e di saktë se ideja e pushtimit të Majave më të larta bëhet me manifest estetik, si e vetmja mënyrë për ta mbijetuar – pra duke mos e provuar pushtimin e Everestit real. Impresionuese poezia “Turkesha” përmes të cilës poeti arrin ta skicojë portretin e vajzës që nuk i shqet nga mendja mu sikur historia e Mesjetës, nga e cila nuk mund të dalin ballkanasit!?”, ka vlerësuar Matoshi.