180 shtetas sot arrijnë nga Italia, do të qëndrojnë 21 ditë në karantinë shtetërore

Qeveria e vendit njofton se sot në orën 14:00 në aeroportin e Shkupit, me fluturim të organizuar nga Venediku, Republika e Italisë, do të arrijnë 180 udhëtarë, shtetas të vendit.

Të njëjtit do qëndrojnë në karantinë shtetërore për 21 ditë rresht në hotel “Drim” në Strugë, në bazë të vendimit nga mbledhja e 40-të e Qeverisë së RMV-së, që ka të bëjë me pranimin e udhëtarëve që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës së Organizatës Botërore Shëndetësore.

Çdo qytetar i RMV-së, i cili kthehet në vendin tonë me udhëtim të organizuar nga Qeveria, ka për obligim që vetë ta paguajë biletën e avionit dhe me procedurën e vërtetuar janë të njoftuar të gjithë udhëtarët. Vendosja në karantinë shtetërore është në kushte të kontrolluara në mënyrë të rreptë, pa asnjë kompensim financiar.

Si deri më tani, shtetasit tanë të cilët do të udhëtojnë nga Italia, gjegjësisht nga Venediku, nga aeroporti deri në lokacionin për karantinë shtetërore, do të dërgohen me autobus të kontrolluar rreptësishtë.

Autobusët në brendësi janë të dezinfektuar nga ana e kompanisë së certifikuar, në përcjellje të policisë, ndërsa shoferët janë me pajisje mbrojtëse dhe skafandër. Për qytetarët është siguruar ushqim dhe ujë.