19-vjeçari nga Kosova mbytet në liqenin e malit Sharr në Maqedoni

Advertisment

Një 19-vjeçar me iniciale F.A., shtetas i Republikës së Kosovës, ka humbur jetën në një liqen në Kodrën e Diellit në Tetovë, i njohur si “Liqeni i Madh”, e që ndodhet në afërsi të vijës kufitare Maqedoni e Veriut-Kosovë.

Siç mëson TV21 nga burime të Ministrisë për Punë të Brendshme, i riu ka qenë bashkë me 5 shokë të tjerë, të cilët kanë dalë për shëtitje në mal. Ai është futur për t’u freskuar në liqen, por s’ka ditur not dhe është mbytur, kanë rrëfyer shokët e tij për policinë, tregon për TV21 burimi nga MPB-ja.

Reklame

Ekipet e policisë kufitare në bashkëpunim me Njësitin Special “Tigrat” këtë mëngjes e kanë nxjerrë nga liqeni trupin e pajetë të 19-vjeçarit. Të njëjtat burime thonë se në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori Publik, krim-teknika dhe zyrtarët mjeko-ligjorë të cilët e kanë konstatuar vdekjen. Nuk janë konstatuar shenja dhune, thotë burimi.

Pritet që në Maqedoni të bëhet obduksioni i viktimës, e më pas kufoma të dërgohet në Kosovë./TV21