Sinani: PDSH me këtë strukturë të udhëheqjes nuk është e denjë për ta mundur BDI-në
Qeveritë aktuale të shteteve të Ballkanit kanë promovuar seanca të përbashkëta ndërqeveritare, por a pritet që të ndryshojë strukturat aktuale politike gjatë zgjedhjeve që do të mbahen sivjet në Maqedoni, Kosovë dhe Serbi.
Këto ditë është duke u spekuluar shumë për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare krahas atyre presidenciale. Në gjithë këtë rrëmujë, përmendet mundësia që të ketë përmbysje të pushtetit, në rast se ndërkohë do të shpërthente ndonjë skandal i madh që do të trondiste partitë ndonjërën prej partive në pushtet.
Analisti politik Arsim Sinani ka thënë se opozita maqedonase duhet që t’i artikulojë më fort kërkesat e veta nëse do që ta mundë pozitën maqedonase.
Aktualisht ajo nuk e ka formulën për ta mundur pushtetin e VMRO-së. “Nuk pres rezultate spektakolare për shkak se sondazhet tregojnë se partitë aktuale në pushtet gëzojnë rejting të mirë.
Situata mund të përmbyset, vetëm nëse në të ardhmen do të dilte ndonjë skandal i madh i cili do ta rrëzonte garniturën aktuale politike”, ka thënë Sinani, për gazetën e përditshme “Zhurnal plus”.
Ndërsa në kampin shqiptar është e qartë se BDI do të vazhdojë që të sigurojë edhe një mandat të tretë, mendon Sinani. Ai ka një porosi për liderin e BDI-së Ali Ahmeti.
“Ai do të duhej të jetë i kujdesshëm gjatë përzgjedhjes së njerëzve që do të hyjnë në garën e madhe zgjedhore, për shkak se kemi një lodhje sistematike te një pjesë e madhe e funksionarëve të BDI-së.
Ahmeti do të duhej që të jepte gjak të ri”, vlerëson Sinani. Në anën tjetër, analisti Sinani thekson se PDSH, me këtë strukturë të udhëheqjes nuk është e denjë për ta mundur BDI-në.
Ndërsa, zhvillimet e reja politike rreth rikthimit të PPD-së, do të shihet se cilin elektorat ata do të synojnë që ta marrin. “Rilindja Demokratike do të mundohet që ta ruajë pozicionin e saj, ndërsa lideri Rufi Osmani do të kthehet në Parlament, për shkak se mendon që nëpërmjet këtij institucioni do të mund të bëhet në të ardhmen lider i shqiptarëve në Maqedoni”, thotë Sinani.







