Beogradi merr vesh për zgjedhjet para Reçicës!
|
Nënkryetari i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç është shprehur i bindur se kryeministri i Nikolla Gruevski do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Lideri i Lëvizjes serbe për progres me zgjedhjet eventuale në Maqedoni e ka arsyetuar vendimin e partisë së tij të kërkojë mbështetje nga populli serb, edhe pse LSP për momentin është partneri më i madh në koalicionin qeveritar të socialistëve të Ivica Daçiqit. Kjo paraqitje e Vuçiqit ka ngjallë shumë dilema te opinioni shqiptar.
“Ndoshta kanë shumë të drejtë ata që në këtë moment dyshojnë se data e zgjedhjeve mund të jetë në Beograd dhe se kryeministri serb Ivica Daçiq gjatë vizitës së fundit kur në Shkup festoi ‘Sveti Savën’ e ka sjellë datën në kovertë”, vlerëson politologu Qashif Bakiu. Ai shprehet i bindur se data e zgjedhjeve të parakohshme do të caktohet gjatë vikendit që po vjen. “Unë nuk kam dilemë se zgjedhje të parakohshme do të ketë dhe mendoj se të shtunën ose të dielën që po vjen, data do të bëhet publike”, shton Bakiu.
Dhe përderisa për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni mori vesh edhe “Beogradi i madh”, si duket Reçica e Vogël ende nuk ka asnjë haber lidhur me këtë çështje.
Kjo mund të konstatohet nga deklarimet e integristëve lidhur me informacionet e paraqitura, sipas të cilave BDI dje duhej të sjellë vendim final për zgjedhjet.
Siç ka informuar Portalb, BDI-ja më së paku është e interesuar për marrjen e ndonjë vendimi për zgjedhjet e parakohshme dhe zyrtarët e BDI-së e kanë konfirmuar qëndrimin e tyre “as në tokë e as në qiell” që domethënë se ata ende nuk janë në prag të marrjes së një vendimi të prerë.
Sekretari i BDI-së, Abdilaqim Ademi, ka konfirmuar se gjatë të mërkurën nuk ka pasur mbledhje të kryesisë qendrore të BDI-së. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani. Megjithatë, pritet në ditët në vijim të qartësohet para opinionit se çfarë do të ndodh me bisedimet mes partnerëve të e koalicionit VMRO dhe BDI për presidentin e vendit si dhe për temën në fjalë.











