Shkëndija qetëson tifozët: Nexhipi është i lënduar, s’ka asgjë tjetër
Tifozët e Shkëndijës janë kapur në panikë për mungesën e mesfushorit Nderim Nexhipit në ndeshjen e sotme kundër Zajazit, që u zhvillua paraditen e së enjtes, e fituar nga kuqezinjtë me rezultat 5-0.
Thashethemet e ndryshme që po qarkullojnë nëpër Tetovë i kanë përgënjeshtruar nga zyra për marrëdhënie me publikun e Shkëndijës, të cilët qetësojnë publikun e tyre të zjarrtë.
“Nuk e di prej nga po qarkullojnë ato spekulime. Dyshimet e tifozëve sigurisht kanë lindur pas mospërfshirjes së tij në ekip në takimin me Zajazin, por them se Nderimi ka munguar sot për shkak të një dëmtimi që pësoi në stërvitjen e së mërkurës. Kjo është përgjigja jonë, nuk ka asgjë tjetër. Për arsye lëndimesh munguan edhe Nurishi, Miliev dhe Useni, i cili hyri në lojë në pjesën e dytë”, thanë nga Zyra për marrëdhënie me publikun në KF Shkëndija për gazetën “Lajm”.
Nga këta të fundit njoftohemi se Shkëndija të premten kthehet në Tetovë, ku do të ketë dy ditë pushimi, ndërsa me 5 shkurt transferohen në Antali të Turqisë.






