Ballistët e kanë radhën - tetova1

Ballistët e kanë radhën


Kategoria: Sport

Postuar më: Mër, Shk 26, 2014

Lexuar: 590 herë



Tani është radha që “Ballistët” të mobilizohen dhe të tregojnë se janë të gatshëm të mbështesë në çdo moment ekipin. Mundësia e parë për një gjë të tillë është e diel kur në orën 14 Shkëndija do të pret Makedonija Gj.P.

Kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në zhvillimin e ndeshjes së parë të gjysmësezonit pranveror, në taborin e Shkëndijës gjithë vëmendja është orientuar kah takimi i të dielës me Makedonija Gj.P.. Pikërisht në këtë ndeshje pritet që publiku tetovar respektivisht “Ballistët” të sjellin reagimin e vet në shenjë falënderimi për gjithë punën që ka bërë kryesia e klubit për ndërtimin e një skuadre të fuqishme dhe konkurrente për vazhdimin e kampionatit, si dhe për hapin e fundit kur me insistim të kryesisë së klubit u plotësua kërkesa e tifozëve që ndeshja e parë të shtyhet për një ditë dhe të luhet të dielën. Në periudhën që lamë pas shumë gjëra kanë ndodhur në taborin ‘kuqezi’. Me përfundimin e sezonit vjeshtor, Shkëndija largoi shumë futbollistë, ndërsa më pas ishte ekipi më aktiv në afatin kalimtar ku u angazhuan shumë emra të njohur të futbollit nga vendi dhe jashtë, dhe tani Shkëndija në përbërje ka ekip të fuqishëm. Ndryshe, secili me padurim pret të shoh Shkëndijën në formacion me Useinin, Kurtishin, Juniorin, Vruçinën, Milievin, Mustafin dhe gjithë përforcimet tjera të angazhuara në afatin kalimtar të janarit. Është e vërtetë se publiku nuk ka mundur të shoh ekipin në ndonjë ndeshje kontrolluese në përgatitjet dimërore, por gjithashtu e vërtetë është se edhe futbollistët e posa ardhur ende nuk kanë ndjerë atmosferën dhe mbështetjen që publiku tetovar din t’i japë ekipit. “Ballistët” janë duke organizuar festë të vërtetë, ndërsa veç më ka nisur të ndjehet se në Tetovë dhe rrethinë çdo tifoz është i përfshirë nga ethet e ndeshjes së parë. Dhe të gjithë ata që mendojnë se tifozët do kenë rol të rëndësishëm kanë të drejtë, pasi fillimi i mbarë i gjysmësezonit, do të ishte një tregues i mirë për vazhdimin e kampionatit. Kryesia bëri punën e vet, kur përforcoi ekipin me emra cilësor dhe ndërkohë mundësoi që futbollistët të përgatiten në kushte të shkëlqyeshme. Kryesia gjithashtu si që u përmend më lartë, plotësoi dëshirën, insistimin dhe kërkesën e tifozëve që ndeshja e parë në vend të 1 marsit (e shtunë) të luhet një ditë më vonë, të dielën me 2 mars. Tani është radha që “Ballistët” të mobilizohen dhe të tregojnë se janë të gatshëm të mbështesë në çdo moment ekipin. Mundësia e parë për një gjë të tillë është e diel kur në orën 14 Shkëndija do të pret Makedonija Gj.P.
Ndryshe, të hënën zyrtarisht është konfirmuar se Shkëndija ka kompletuar dokumentacionet e nevojshme për regjistrimin e të gjithë futbollistëve të ardhur në këtë afat kalimtar dhe secili prej tyre ka të drejtë loje. I fundit që ka kompletuar dokumentacionin është mbrojtësi Nuri Mustafi, për të cilin është pritur deri të hënën arritja e certifikatës për regjistrim. Dhe pasi nga Suedia ka arritur në kohë gjithçka që nevojitej, Mustafi është regjistruar dhe ka të drejtë loje që në ndeshjen e parë të dielën me Makedonija Gj.P. Paraprakisht janë regjistruar sipas rregullave edhe 8 përforcimet tjera dhe të gjithë pritet të jenë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen e parë. Në dyshim mbetet vetëm braziliani, Zhunior, i cili për momentin qëndron në Prishtinë dhe në çdo moment pritet të pajiset me vizë pune në Republikën e Maqedonisë, pas çka menjëherë do të udhëtojë drejt Tetovës. /KOHA/