Incidenti në Bit Pazar, arrestohen shumë shqiptarë
|
Disa persona janë arrestuar gjatë një aksioni policor të premten mbrëma në Bit Pazar të Shkupit, raporton Press24.
Sipas burimeve gjyqësore, të arrestuarit janë të përfshirë në incidentin e ndodhur para vitit të ri , kur njësiti special Alfa u penguan në realizimin e aksionit policor për konfiskimin e mjeteve piroteknike. Jozyrtarisht janë arrestuar 5 persona, ndërsa policia duke konfirmuar rastin paralajmëron detaje për më vonë gjatë ditës.
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, policë ishin penguar të kryenin kontrollin në Bit Pazar . Një grup më i madh i qytetarëve ishin përplasur me forcat speciale të policisë. Ishte raportuar edhe për të shtëna nga ana e forcave të rendit, nga ana e një pjesëtari të njësitit “Alfa”.

Sipas Rregullores për përdorimin e mjeteve të dhunës dhe armëve të zjarrit të miratuar nga Qeveria, ligjshmëria e shkrepjes së plumbave në mes të turmës dje mbetet shumë e kontestuar. Përkujtojmë se neni 26 i kësaj rregulloreje thekson qartë se
“Nuk përdoret armë zjarri nëse me atë akt vihet në rrezik jeta e qytetarëve të tjerë, fëmijëve e të moshuarve, nëse këta persona nuk rrezikojnë jetën e personit zyrtar apo personave të tjerë, me armë zjarri ose mjete të tjera të rrezikshme”.
Neni 22 e po të njëjtës rregullore numëron rastet kur policia mund të përdorë armën zyrtare për paralajmërim.
“Personi zyrtar i autorizuar, nëse me mjete të tjera dhune nuk mund të mbrojë jetën e qytetarëve ose të shmangë nga vetja sulmin e mundshëm me të cilin mund të rrezikojë jetën e tij, përdor armë zjarri nëse është i sulmuar fizikisht me mënyra ose me mjete armë, armë të rrezikshme ose mjete të tjera me të cilat rrezikohet jeta; nëse sulmi për rrezik jete kryhet nga dy ose më shumë persona, nga një person fizik në pamje të parë më të fuqishëm ose person që posedon aftësi të veçanta”.








