Menduh Thaçi takime të shpeshta me Sasho Mijallkovin
Lëvizje të mëdha janë duke ndodhur në skenën politike në Maqedoni. Vetëm disa javë para se të mbahen zgjedhjet presidenciale në vend, partitë politike kanë filluar kalkulimet e ndryshme në mënyrë që të dalin fituese.
E për të fituar, shpesh mjeti arsyeton qëllimin. Takime të shpeshta muajve të fundit janë realizuar ndërmjet liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe njeriut të parë të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov. Ky i fundit është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Qendror të VMRO - DPMNE –së së Kryeministrit Nikolla Gruevski.
Duke shfrytëzuar ditën e diel që ishte edhe ditë pushimi, të dy këta liderë janë takuar dhe kanë darkuar së bashku në restorantin “Sushiko” në Shkup, njofton portali Libertas.
Informacionet e fundit janë se në restorant ata kanë hyrë brenda nga dera e pasme. Edhe pse VMRO-DPMNE është në koalicion qeveritar me BDI-në, bojkoti i PDSH-së për zgjedhjet presidenciale ka bërë që partia më e madhe maqedonase të interesohet për partinë opozitare shqiptare.
Në këtë mënyrë, Menduh Thaçi i ndihmon VMRO-së në zgjedhjet presidenciale. Kështu së paku thuhet jozyrtarisht, kurse partia maqedonase në pushtet do t’i ndihmojë PDSH-së në zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare.
Në këtë mënyrë, PDSH-ja nëse siguron vota të konsiderueshme mund të bëhet në të ardhmen edhe pjesë e pushtetit. Ndonëse në lidhje me këtë çështje nuk ka diçka konkrete dhe zyrtare, lëvizjet e fundit politike çojnë në atë drejtim.
/zhurnal/






