Pa shqiptarë s’ka president! - tetova1

Pa shqiptarë s’ka president!


zgjehdjet_797351396
Kategoria: Lajme

Postuar më: Sht, Shk 8, 2014

Lexuar: 312 herë



Në Maqedoni, nga mbi 1.7 milion votues, 500 mijë janë shqiptarë. Një vendim eventual i tyre për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, veçanërisht në rrethin e dytë kur është e patjetërsueshme dalja prej 40 për qind nga trupi votues, mund të dështojë zgjedhja e presidentit të Maqedonisë. Kështu vlerësojnë drejtuesit më të lartë të Komisionit Shtetërorë Zgjedhorë, kryetari Nikolla Rillkovski dhe zëvendësi i tij, Subhi Jakupi. Ky rrezik bëhet edhe më i madh pas deklaratës së kreut të PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, se kjo parti është e painteresuar për këto zgjedhje dhe dështimit të propozimit të BDI-së për zgjedhjen e një kandidati koncensual me partin e koalicionit, VMRO-DPMNE. “Në bazë të gjitha analizave që bëhen dhe në bazë të numrit të votuesve, të cilat janë të regjistruar dhe prej atyre që ne kemi përvojë, është një numër i mirë që janë votues shqiptarë në Maqedoni dhe sipas të gjitha analizave që unë i kam bërë, janë diku afër 500 mijë votues shqiptarë që kanë të drejtën e votës në Maqedoni. Dhe duke e analizuar me atë që është numri i votuesve 1.775.000, atëherë mendoj se është numër i cili është vendimtarë për zgjedhjen e presidentit duke marrë parasysh censusi i nevojshëm me të cilin duhet të zgjidhet. Kështu që, mendoj se, sidomos nëse shqiptarët eventualisht e bojkotojnë daljen në zgjedhje, veçanërisht në rrethin e dytë, me të vërtetë rrezikohet procesi zgjedhor që të kemi zgjedhje të presidentit të shtetit”, thotë nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Në të njëjtën vijë është shprehur edhe kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski. “Nuk do të mund të flas për një bojkot eventual. Por, me siguri që po, e rrezikojnë”, tha shkurt Rillkovski. Në rast të një skenari të këtillë, numri dy i KSHZ-së, Subhi Jakupi, sqaron se për zgjedhjet presidenciale nuk ka një rreth të tretë, por duhet që i gjithë procesi të përsëritet nga fillimi. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, postin e presidentit e ushtron kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.
“Nëse ndodh kjo dhe nuk kemi zgjedhje të presidentit edhe në rrethine dytë, atëherë prej asaj dite ne nuk kemi presidenti shteti, por rolin e tij me Kushtetutë e merr kryetari i Parlamentit. Ndërsa sa i përket procesit zgjedhor, në bazë të konstatimit të kryetarit të Parlamentit, ai shpall zgjedhje të reja presidenciale”, thotë Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së. Një rrezik i tillë ekzistonte edhe në zgjedhjet e kaluara presidenciale, kur dalja e një numri simbolik të shqiptarëve në rrethin e dytë, ndikoi në zgjedhjen e presidentit aktual, Gjorgje Ivanov. Në zgjedhjet e fundit presidenciale që u mbajtën në vitin 2009, dalja ishte diç më shumë se 42%. Një faktor tjetër që shpëtoi zgjedhjen e presidentit ishte edhe ulja e censusit, nga 50% sa kishte qenë deri në vitin 2009, në 40%, ndryshim ky që u bë pikërisht nga droja e dështimit të zgjedhjeve pas sinjaleve që erdhën nga elektorati shqiptarë se nuk do të marrin pjesë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Një atmosferë e ngjashme ka filluar të krijohet edhe ditëve të fundit, ku në prag të zgjedhjeve presidenciale të cilat janë caktuar për më 13 prill, në opinion flitet gjithnjë e më shumë për një skenar të mundshëm të bojkotit të zgjedhjeve nga elektorati shqiptar. Rreziku bëhet edhe më i madh nëse partia në pushtet - VMRO, vendos të rikandidojë presidentin aktual, Gjorgje Ivanov, i cili gjatë gjithë mandatit 5 vjeçar, ishte i papranueshëm për PDSH-në opozitare, ndërsa në fund, ai u kritikua edhe nga BDI-ja në pushtet, parti kjo e cila në mënyre decime tha se i njëjti nuk do të ketë më mbështetjen e tyre në rast të rikandidimit.

Rritet numri i vendvotimeve
Numri i vendvotimeve në vend për zgjedhjet e ardhshme presidenciale rritet për 504, ashtu që numri i tyre do të jetë 3.480. Deri tani votimi realizohej në 2.976 vendvotime. Ndryshimi del nga ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor, respektivisht neni 165 nga kodi, ku parashikohet që numri i zgjedhësve të cilët votojnë në vendvotim të mos mund të jetë më i madh se 1.000 votues. Në mënyrë shtesë do të ketë një vendvotim në Komisionin shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ) për anëtarët e këshillave zgjedhore, të cilët duhet të udhëtojnë në vendet e huaja, që të realizohet votimi i diasporës. Anëtarët e këtyre këshillave zgjedhore në zgjedhjet lokale në viti 2011 nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, pasi kur votohej ata nuk ishin në vend. Janë paraparë edhe 47 vendvotime në përfaqësitë diplomatike-konsullare, ku do të votojnë shtetasit e Maqedonisë, të cilët do të paraqiten në thirrjen publike. Për herë të parë këtë vit, diaspora do të votojë për president të shtetit. Në gjashtë njësitë zgjedhore në vend dhe tre jashtë tij, gjithsej do të ketë 3.528 vendvotime. Sipas të dhënave të fundit nga KSHZ-ja në Listën zgjedhore janë regjistruar mbi një milion e 787 mijë votues. Për krahasim numri i vendvotimeve ku realizohej votimi në ciklet e kaluara zgjedhore ishte 2.976.
Arben ZEQIRI-Koha