Qendrat sociale pa kompjuterë, rrymë dhe ujë
|
Në kushte shumë të rënda funksionojnë Qendrat e punëve sociale në pjesën më të madhe të vendit, gjendje kjo që reflektohet drejtpërdrejt në llojet e ndryshme të ndihmës sociale që i fitojnë të papunësuarit, personat me çrregullime psiko-fizike dhe ato që kujdesen për to, si dhe kategoritë e tjerë të popullatës që varen nga ndihmat financiare të shtetit. Është ky vlerësimi i përgjithshëm i zyrës së Avokatit të Popullit, i cili gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, ka analizuar gjendjen në të cilën funksionojnë Qendrat e punëve sociale në të gjithë vendin dhe mënyrën e zgjidhjes së ankesave të popullatës vendase lidhur me ndihmat financiare që banorët vendas i fitojnë në forma të ndryshme.
“Në lidhje me kushtet e punës dhe barrierat për shkak të të cilave vështirësohet dhe pengohet veprimi me kohë sipas kërkesave të qytetarëve, përveç mospasjes së kuadrit të mjaftueshëm profesional, vihen në pah edhe kushtet joadekuate për punë, pajisja e pamjaftueshme dhe mjetet e kufizuara materiale për punë, mungesa e letrës, tonerëve, printerëve skanerëve për punë etj.
Shumica e Qendrave e potencojnë problemin me hapësirat e pamjaftueshme dhe të parregulluara për punë, si dhe pajisjen me kompjuterë të vjetër. Në këtë kontekst, nga Qendra për Punë Sociale në Krushevë e potencojnë problemin me instalimin e keq të energjisë elektrike, ndërsa në seksionin në Butel të Shkupit, shkyçjen shumë mujore të objektit nga sistemi i furnizimit me ujë dhe si pasojë - funksionojnë në kushte të këqija dhe kushte ku nuk mund të mirëmbahet higjiena, gjë që manifestohet mbi shëndetin e të punësuarve. Po ashtu, vihet në pah mosfunksionimi i linjave telefonike, ndërsa nga këqyrjet e realizuara u konstatua se ky është problem edhe i seksioneve për punë sociale të Shkupit”, thotë zëvendësavokatja e Popullit, Biljana Bajramovska-Mustafa. Raporti përkatës i përgatitur nga ana e zyrës së Avokatit të Popullit gjithashtu zbardh se një pjesë e Qendrave të punëve sociale nuk kanë automjete zyrtare ose nuk kanë mjete për të siguruar derivatin e duhur për automjet, që në fakt, përmbushjen e detyrave dhe daljen në terren për të konstatuar gjendjen faktike të personave ose familjeve që kërkojnë ndihmë sociale.
Po ashtu, analiza e Avokatit të Popullit ka zbardhur se qytetarët, si shfrytëzues të të drejtave në para nga mbrojtja sociale, më së shumti ballafaqohen me probleme gjatë realizimit të ndihmës sociale në para, ndihmës së përhershme në para dhe të drejtës për ndihmë dhe përkujdesje nga person tjetër. Sipas përgjigjeve të cilat i kanë dhënë Qendrat për punë sociale për nevojat e analizës së Ombudsmanit, në lidhje me veprimin e suksesshëm dhe kualitativ, një punonjës mesatarisht në nivel vjetor mund të shqyrtojë dhe të vendos për 200 deri në 300 lëndë, por në praktikë - një punonjës merr për shqyrtim dhe merr vendime përkatëse për më shumë se 500 lëndë.











