Rapsodi tetovar, Bibë Kosova - tetova1

Rapsodi tetovar, Bibë Kosova


Kategoria: Kulturë

Postuar më: Hën, Shk 10, 2014

Lexuar: 1 192 herë



“Kush knon, nuk plaket”

Shkruan: Bekim Ramadani, muzikolog

Të jesh në mesin e rapsodëve është vërtet kënaqësi, sepse ata nuk janë vetëm interpretues të lindur, por edhe artistë të mirëfilltë, të kalitur nga profesioni, nga mënyra e punës, nga serioziteti i veprimtarisë dhe nga origjinaliteti i krijimtarisë.

Shumë gjëra të cilat nuk kisha arritur t’i përvetësoj nga orët shkollore, nga leksionet dhe librat e shumtë, i pata dëgjuar e përvetësuar pikërisht nga institucioni i quajtur – “Odë burrash”. Aty mësova për sinqeritetin, për solidaritetin, për seriozitetin, për burrërinë, për atdhetarinë, aty mësova për shumë fshehtësi të jetës. Aty mësova shumë anekdota, shumë batuta, shumë ndodhi, mësova shumë poezi, aty mësova për shumë mite e histori. Nëpër këto oda dëgjova këngët ku ishin pasqyruar vlerat më të vyera, më të shtrenjta të karakterit e të botës shpirtërore, të asaj që e përcakton fizionominë morale, origjinalitetin e të qenit shqiptar. Aty mësova edhe për dy dëshmi të lashtësisë, për dy karakteristika të psikologjisë etnike shqiptare, mësova, pra, për besën dhe mikpritjen.

Epika heroike legjendare dhe lirika popullore shqiptare, e shtjelluar nga personazhet e odës, mishëron një ideal dhe një shëmbëlltyrë që ka ekzistuar dhe që duhet të kultivohet më tej për t’u bërë ballë rrebesheve të kohës. Në procesin e evoluimit të kësaj krijimtarie kanë marrë pjesë edhe rapsodë nga zona e Pollogut, për të cilët do të flasim në vijim të këtij shkrimi.

Të flasësh për krijimtarinë artistike – rapsodike të trevës së Tetovës e të mos përmenden këngëtarët Bibë Kosova, Qamil Berisha dhe Sevdi Malsia është fyerje e rëndë.

Kam pasur rastin që këta interpretues t’i njoh për së afërmi, herë si dëgjues i drejtpërdrejtë nëpër odat e burrave e herë si bashkëpunëtor, ndërkaq tani edhe si gjurmues i folklorit muzikor.

Biografia e tyre është e pasur me shumë aktivitete, iniciativa dhe sfida. Ata janë dëshmuar si artistë të mirëfilltë në të gjitha elementet dhe nivelet e realizimit dhe të performimit muzikor. Përmes hyrjeve instrumentale, pjesëve vokale, interludeve instrumentale, përmbylljeve vokalo-instrumentale, mënyrave të performimit, gjesteve, komunikimit me dëgjuesin dhe qasjes artistike, kanë arritur të lënë gjurmë dhe gjithmonë të kujtohen me respekt të veçantë nga një auditor i gjerë.

 

Bibë Kosova, rapsod i shkathët (12 shtator 1948 - )

 

I lindur në fshatin Vataj të komunës së Kaçanikut, Habib Neziraj (Bibë Kosova), është më i madhi nga të nëntë fëmijët e babë Razimit, i cili si plak katundi dhe njeri me shkathtësi intelektuale gëzonte autoritet të madh. Ky plak i shëndetshëm dhe i fuqishëm pasi kishte përmbyllur me sukses iniciativat e filluara dhe punët organizative të jetës kolektive në fshat ishte kthyer në konak dhe kohën e lirë e kishte kaluar duke i rënë kavallit së bashku me të vëllanë i cili zakonisht e kishte shoqëruar duke e mbajtur ison.

Pra, siç mund të kuptohet, nxitjen për t’u marrë me muzikë, Bibë Kosova e ka marrë pikërisht nga babai i tij prej të cilit ka trashëguar edhe sensin e humorit, temperamentin e gjallë dhe shkathtësinë e komunikimit. Që në momentin kur në dorë i kishte rënë një fyell metalik, e kishte hetuar përnjëherë se do ta përvetësonte shumë shpejt artin e të luajturit në këtë instrument të lashtë. Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe djaloshi me interpretimin e melodive: “N’Çanakala u nisa”, “Vallja e Rugovës”, “Prej o ni shpati…” kishte arritur t’ua tërheqë vëmendjen jo vetëm bashkëmoshatarëve dhe bashkëfshatarëve të vet, por edhe atyre çobanëve që në fyell kishin luajtur me shumë zhdërvjelltësi.

Kur si fëmijë, përmes valëve të Radio Prishtinës kishte dëgjuar këngët e Riza Bllacës, Dervish Shaqës, Demush Nezirit, Sali Krasniqit, Qamilit të Vogël e shumë rapsodëve të tjerë, brenda qenies së tij e kishte ndjerë se po ndodh diçka vullkanike, por assesi ta kishte shpjeguar. Nuk e kishte kuptuar kurrë as mënyrën se si i mësonte përmendësh aq shpejt tekstet e këngëve të dëgjuara. Se këngën e kishte në shpirt, vërehej edhe nga familjarët të cilët e merrnin me vete në odën e burrave sa herë që aty shfaqej rapsodi i njohur i asaj ane Ali Rudi i shoqëruar me sharki nga djali i vet.

Veglat kordofone të traditës folklorike ishin instrumente që i kishin pëlqyer pa masë, andaj një ditë prej ditëve, ky gjashtëmbëdhjetëvjeçar kishte blerë një sharki të vjetër nga një plak i moçëm, dhe ky moment mendohet të kishte qenë kyç në jetën e tij. Falë talentit dhe përpjekjeve këmbëngulëse, Bibi shumë shpejtë kishte arritur të luante në këtë vegël me pesë tela edhe pjesë të vështira. Bile nga dhoma ku kishte ushtruar me orë të tëra kishte filluar të jehojë edhe kënga. Duke provuar këngët: “Rrushe mori Rrushe”, “Ç’ou mor’ Rexho!”, “Para pem’ve piqet qershia”, e të tjera, muzikanti i talentuar kishte tërhequr vëmendjen e shumë të rinjve të cilët e kishin dëgjuar me shumë përkushtim.

Shpresa për një jetë më të mirë, në vitin 1965, e kishte trazuar familjen e tij në Tetovë ku artisti lozonjar me vrull djaloshar ishte ambientuar shumë shpejt. Thuhet se për artistin e vërtetë ka vend kudo, sepse ai u përket të gjithëve. Ai është artist, bujar e fisnik.

Ardhja e tij në Tetovë kishte zgjuar interesin e shumë muzikantëve të asaj kohe për bashkëpunim miqësor dhe jofitimprurës. Nga kontaktet me muzikantin e talentuar të asaj kohe, z. Nadi Shaqiri, kishte arritur ta përvetësojë edhe teknikën e interpretimit në violinë, ndërkaq takimi me Ramiz Cekën, Jakup Lekën, Ismet Ukshinin, Hamit Poshtarin dhe Ismet Ivajën kishte qenë shumë domethënës dhe tepër inkurajues për rapsodin e ri. Ky formacion folklorik kishte qenë aktiv deri në vitin 1972 kur ishte reduktuar në kuartetin: Bibë Kosova – violinë, Ramiz Ceka - çifteli, Ismet Ukshini – sharki dhe Jakup Leka – dajre. Gjatë vitit 1974, Bibë Kosova kishte bashkëpunuar me Sevdi Malsinë dhe Qamil Berishën, ndërsa në vitin 1975, pas një qëndrimi gjashtëmujor në Gjermani, ishte kthyer sërish në Tetovë dhe i ishte bashkëngjitur grupit të vjetër me të cilin kishte qenë tepër aktiv deri në vitin 1978, kur kishte vendosur bashkëpunim me: fatkeqin Murtezan Ferati – fizarmonikë, Vehbi Xhigolin – violinë dhe Xhemal Ukshinin – sharki. Në vitin 1983, në vend të Xhemal Ukshinit ishte kyçur Sevdi Malësia, kurse në vitin 1985, fundi i kobshëm i virtuozit Murtezan Ferati kishte sjellë në grup, fillimisht, fizarmonicistin Seran Abdurahmani, kurse më pas, në vend të tij, Sherif Abdurahmanin e me të edhe Qamil Berishën në vend të Vehbi Xhigolit. Ky grup kishte vepruar deri në vitin 1999, deri në kohën kur kishin filluar zhvillimet dramatike dhe historike të popullit shqiptar. Nga viti 2003 deri në vitin 2007 kur Bibë Kosova përjetoi hemorragji cerebrale, përveç nga Sevdi Malësia – sharki, shoqërohet edhe nga Beqir Isufi – violinë dhe Avni Bega – fizarmonikë.

Të mos harrojmë pa përmendur se Bibë Kosova ka bashkëpunuar edhe me shumë rapsodë të njohur si: Tahir Drenicën, Hashim Shalën, Bajrush Dodën, Augustin Ukën, Osman Sefën, Shaban Baksin dhe Demir Krasniqin. Ka bashkëpunuar edhe me rapsodët nga Shtimja: Rashit Zymeri - çifteli, Rexhep Rama – sharki dhe Bislim Ilazi – violinë. Ka pasur gjithashtu takime edhe me Sali Bajramin dhe Feriz Krasniqin.

Bibë Kosova, përveçse virtuoz i fyellit, primit, çiftelisë, sharkisë, violinës dhe artit të këndimit, ka qenë edhe mjeshtër i meseleve të vërteta e të rreme, batutave, anekdotave, muhabeteve të këndshme dhe historive gazmore, si p.sh.: “Maçorri nuk shkon haxhi”, “K’si kujni n’dyqan tem s’kam pa”, etj.

Si pjesëmarrës nëpër shumë dasma, ahengje, ndeje, takime esnafësh, Bibë (Bip) Kosova ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e një gjenerate të tërë, e cila e kujton me shumë respekt dhe dashuri. Respekt të madh gëzon edhe nga dy djemtë dhe dy vajzat e tij, të cilët i kushtojnë kujdes të veçantë.

Mjeshtri i madh, interpretuesi i epikës legjendare, baladës heroike, lirikës së dashurisë, njeriu me gjak artisti, që ia kushtoi tërë jetën folklorit muzikor, meriton vetëm fjalë urimi e përgëzimi.