Rikthehen vlerësimet e 2001-shit! - tetova1

Rikthehen vlerësimet e 2001-shit!


sllupcan
Kategoria: Lajme

Postuar më: Die, Shk 2, 2014

Lexuar: 2 545 herë



Deklarata e drejtorit të Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Xhejms Kllaper, përpara Komisionit të posaçëm të Senatit për çështjet e zbulimit, ku mes tjerash tha se edhe këtë vit në Maqedoni do të vazhdojë thellimi i ndasive etnike dhe paqëndrueshmërisë për shkak se Qeveria vazhdon të nxisë programe që synojnë të inkurajojnë nacionalizmin e maqedonas në kurriz të integrimit euro-atlantik, sipas analistëve politik dhe njohësve të sferës së sigurisë, vlerësohet si alarm që kërkon vëmendje të veçantë nga të gjithë faktorët në vend.

Kllaper mes tjerash theksoi se sa më gjatë që rruga e Maqedonisë për anëtarësimin në BE dhe NATO të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, si dhe të marrëdhënieve të dobëta dypalëshe me Bullgarinë, aq më i madh është rreziku që tensionet etnike të rriten. “Për njohësit e rrethanave në Maqedoni kjo deklaratë do të duhej të kuptohej si diçka tepër serioze dhe tepër e ngutshme për tu ndërmarrë diçka që do të pengonte destabilizimin. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të shpejtë të politikave të barazisë së plotë etnike të shqiptarëve me maqedonasit”, thotë analisti Demush Bajrami. Sipas Stevo Pendarovskit, ky është vlerësimi më negativ që ka marrë Maqedonia ndonjëherë në aspekt të sigurisë, pas alarmeve që vinin para dhe gjatë konfliktit të vitit 2001.

lufta201

Pendarovski rikujton poashtu se nuk bëhet fjalë për ndonjë institucion të zakonshëm, por për një “makineri botërore të sigurisë”. “Gjatë kohë i ndjek raportet e shërbimeve amerikane të sigurisë dhe ju them se pas vitit 2001, Maqedonia nuk ka marrë një raport më negativ se ky. Thuhet se thellohen ndasitë etnike dhe se forcohet nacionalizmi maqedonas, pra 13 vite pas konfliktit neve na vijnë formulime të njëjtë si ato të fundit të viteve të 90-ta kur thuhej se marrëdhëniet ndëretnike nuk janë stabile dhe pastaj ndodhi viti 2001. Këto fjalë nuk i thotë një OJQ, por makineria më e fuqishme botore e sigurisë dhe zbulimit. Ky duhet të jetë një sinjal shqetësimi për të gjithë, veçanërisht ata në Qeveri. Unë nuk them se kjo situatë do ta përsërisë 2001-shin dhe këtë nuk e thotë as drejtori i CIA-s, por mjafton që ne e humbim edhe atë pak kapital që e fituam me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kthehemi aty ku ishim para 13 viteve; mosbesim, ndasi etnike dhe situatë kur një rrahje në autobus shumë lehtë mund të kthehet në një incident të tensionuar dhe me shumë pasoja”, thotë Pendarovski. Ashtu siç thuhet edhe në raport edhe analisti Demush Bajrami, si fajtore kryesore për situatën e krijuar dhe për vlerësimet e këtilla që vijnë nga institucioni më i fuqishëm amerikan i sigurisë, akuzon Qeverinë dhe projektet e fundit monoetnike. Parandalimi i më së keqes dhe rikthimi i mirëbesimit mes etnive më të mëdha në vend, sipas Bajramit, mund të bëhet vetëm me politika të barazisë dhe integrimit të shqiptarëve në sistem. “Shkupi 2014 dhe projektet që dalin jashtë Shkupit 2014 dhe që prekin temat e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni nuk i kontribuojnë relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike, ngase përjashtojnë elementin e barazisë etnike në Maqedoni, duke i krijuar favore vetëm një etnie në këtë rast pra vetëm maqedonasve, duke i pozicionuar ata në shkallë superioriteti dhe duke i lënë shqiptarët në margjina të këtyre zhvillimeve që gjithsesi mund ta mbajnë gjithnjë në tension ndëretnik Maqedoninë. Politika e punësimeve, politika e përfshirjes së shqiptarëve në të gjitha elementet e shtetëformësisë së këtij shteti do të kontribuonte në përmirësimin dhe ecjen drejt perspektivave evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë”, thotë analisti Demush Bajrami. Ashtu si edhe Kllaper, të dy analistët vërejnë se vonesat në integrimin në NATO dhe BE, respektivisht moszgjidhja e çështjes së emrit, rrezikojnë të thellojnë edhe më tej ndasitë ndëretnike.
Arben Zeqiri