‘Shvercerat Shkup’: Do ta përkrahim Shqipërinë dhe jo Kosovën
Pas “Tifozëve Kuq e Zi” dhe Plisat”, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do të jenë në stadiumin “Adem Jashari” më 5 mars për të dhënë përkrahjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës, me qëndrim të prerë kanë dalë edhe grupi i tifozëve nga Shkupi, “Shvercerat Shkup”. Omer Bunjaku, lideri i “Shvercerat Shkup” për gazetën “KOHA” pohon se grupi të cilin ai e udhëheq kanë vetëm një kombëtare e ajo është Kombëtarja e Shqipërisë. “Bashkë me grupin e tifozëve nga Shqipëria, ‘Fanatics’ dhe Prishtinës ‘Plisat’ në takimet që kemi mbajtur kemi dal me një qëndrim që të përkrahim vetëm Kombëtaren e Shqipërisë, sikurse që e kemi bërë deri më tani, kur tre 3 grupet dalin me një flamur, atë me ‘JEMI NJË’. Pra, grupi ynë nuk do të jetë më 5 mars në Mitrovicë në ndeshjen që Kosova do të zhvillojë me Haitin dhe nuk do të ndryshojmë këtë qëndrim”, u shpreh Bunjaku. Në pyetjen se çka nëse ndonjë anëtar i “Shvercerat Shup” shkon ta përkrah Kombëtaren e Kosovës, ai shkurt tha: “Ne kemi kryesi dhe ajo kryesi sjell vendimet dhe të njëjtat duhet të respektohen. Në mënyrë individuale secili mund të shkojë ku të dojë dhe të përkrah cilën do kombëtare, ne nuk mund ti ndalojmë, mirëpo në mënyrë të organizuar assesi”, deklaroi lideri i “Shvercerat Shkup”, grup i cili daton nga viti 1989 dhe njihet si grup i cili përkrah ekipin e mirënjohur shqiptar F.C. Shkupi.






