Si lindi emblema e Prosperitetit?
Miftar Ziberi
Në një mbledhje të këshillit nismëtar për themelimin e Partisë për Prosperitet Demokratik në Tetovë diskutohej për platformën politike të kësaj partie si duhet ajo të funksionoj dhe për çfarë ajo duhet të angazhohet që populli Shqiptar i cili jeton në trojet e veta në Maqedoni të përmirësoj statusin e saj. Kishte propozime nga më të ndryshmet dhe njëri nga ish komunistët që ishte dërguar nga UDB-ja që të spiunonte për çdo gjë që ndodhte në këto mbledhje të këtij këshilli tha: Ju të gjithë jeni të verbuar dhe vjetruar, në Evropë nuk mundet që të shkoni me këto ide të prapambetura, me tirqi, xhamadanë, lurka dhe kapuça të bardhë, tani më ne jemi në demokraci dhe demokracia ka rregulla të tjera, rregulla të cilat funksionojnë pa plis të bardhë dhe pa flamur kombëtar, por me flamur të shtetit ku ne jetojmë, ju të gjithë jeni bukë-shkelë dhe të mirës i bini me shkelm. Tipa të këtillë të cilët ishin të deleguarit e UDB-së dhe ato na përcjellshin dhe ndjekshin si rrufeja çdo kund ku na shkonim për të mbajt tubime të ndryshme për themelimin e Partisë për Prosperitet Demokratik.
I nervozuar nga delegati i UDB-së i cili urrente flamurin kombëtar dhe plisin e bardhë në një bisedë me Miftar Memetin (piktor i dalluar Tetovar) ia parashtrova idenë tonë që emblema e Partisë për Prosperitet Demokratik në vete të ngërthente plisin e bardhë Shqiptar (për inat të udbashve) dhe ngjyrat tona kombëtare kuq e zi dhe ngjyrën e kaltër të demokracisë. Miftar Memeti e bëri emblemën e PPD-së duke i përfshi të gjitha simbolet kombëtare dhe ato të demokracisë, krahas emblemës Miftar Memeti bëri edhe Flamurin e Partisë për Prosperitet Demokratik. Ky flamur dhe kjo emblemë u pëlqeu të gjithë adhuruesve dhe anëtarëve të partisë tonë, por kuptohet se udbashët ishin kundër që Prosperiteti të ketë kësi simboleve nga arsyeja se ky flamur dhe kjo embleme nuk u pëlqente edhe eprorëve të tyre. Eprorët e tyre kishin dhënë urdhër që në emblemën e partisë mos të kishte ngjyra kombëtare dhe shkronja shqipe. Në versionin e parë nuk ishte kjo nye e marinarëve (siç thoshte Meli Zenku) po aty ishin shkronjat PPD.
Kujtoj se ky Flamur dhe kjo Emblemë e Partisë për Prosperitet Demokratik përmbledhin kujtimet e shkuara të Kombit Shqiptar që jeton në trojet e veta këtu në Maqedoni, në një gjuhë të pashkruar që mund t`a kuptojnë si syri gjithashtu edhe zemra e çdo njeriu me ndjenja kombëtare. Ne që edhe në atë kohë kishim ndjenja kombëtare ishim të vetëdijshëm se vetëdija është mbi të gjitha një lumturi: lumturi e drejtë, e vërtetë dhe reale, mandej duhet thënë se njeriu sa më i vetëdijshëm që është për atë që ndodhë në momentin e caktuar aq më i lumtur në të ardhmen do jetë ai nëse në momentin gjegjës ndërmerr hapa adekuat.
Me Partinë për Prosperitet Demokratik ndodhi sikur me pemën me fruta sipas një proverbi arab: njerëzit rrinin rreth pemës derisa ajo kishte fruta, mirëpo menjëherë pasi pemës iu harxhuan frutat njerëzit u larguan nga ajo dhe filluan të kërkojnë ndonjë pemë tjetër me fruta.






