Terminal të përbashkët me Kosovën në Jazhincë - tetova1.com - Portal Informativ për qytetarët shqiptarë të Maqedonisë

Terminal të përbashkët me Kosovën në Jazhincë


doganaa
Kategoria: Ekonomi

Postuar më: Pre, Shk 7, 2014





Në fillim të muajit mars doganat e Maqedonisë dhe Kosovës do të realizojnë një takim pune ku do të shqyrtohet mundësia e përshpejtimit të veprimeve për hapjen e terminaleve doganore në vendkalimin kufitar në Jazhincë-Glloboçicë.

Me këtë, në këtë pikë doganore do të licencohet edhe qarkullimi i transportuesëve. “Hapja e pikës kufitare Jazhincë edhe për qarkullimin e kamionëve drejt Kosovës është shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, rritjen e transportit dhe këmbimin e mallrave me shtetin fqinj. Në këtë drejtim ishte paraparë të realizohet një takim pune gjatë këtij muaji midis drejtorit të Doganës së Maqedonisë dhe Doganës së Kosovë, por me që tani kemi drejtor të ri, takimi është shtyrë dhe i njëjti do të mbahet në javën e parë të muajit mars”, thotë Lavdërim Veliu, zëvendës drejtor i Doganave të Maqedonisë.

Ndalesa për mos qarkullimin e deritanishëm të kamionëve në ketë pika kufitare, Veliu thotë se kanë qenë e natyrës teknike, respektivisht infrastruktura e dobët deri në pikën e Jazhincës, rrugët e ngushta në pjesën e Kosovës si dhe mungesa e terminalit. “Tani më rruga magjistrale deri në kufirin me Kosovën është rindërtuar dhe i plotëson të gjitha kushtet që të mund të qarkullojnë edhe kamionët. Pas takimit që do të ndodhë në mars të këtij viti midis Doganës së Maqedonisë dhe Kosovës pritet të nënshkruhet marrëveshja që përmes kësaj pike kufitare të mund të qarkullojnë edhe lëvizjet e automjeteve të rënda”, thotë Veliu.

Ndërkaq sa i përket ndërtimit të terminalit, zëvendësdrejtori i Doganave thekson se institucionet përkatëse i kanë ndërmarrë të gjitha masat për ndërtimin e tij. “Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat teknike për licencimin e kufirit të Jazhincë edhe për qarkullim të automjeteve të rënda, atëherë do të shqyrtohen dhe ndërtimi i terminalit. Si duket ndërtimi i terminalit do të bëhet në pjesën e Kosovë, sepse aty ka hapësirë më të madhe për të ndërtimin e terminalit, i cili do të jetë terminal i përbashkët i të dyjave shteteve”, thotë zëvendësdrejtori Veliu.

Hapja e kufirit Jazhincë edhe për automjetet e rënda dhe ndërtimin e një terminali vite me radhë është kërkesë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, me arsyetimin se qarkullimi i lirë i kamionëve me mallra edhe përmes vendkalimit Jazhincë, do të ishte një dritare e re për ekonominë e Pollogut, por edhe për shtetin në përgjithësi, si dhe dukshëm do të ndikonte në zhvillimin ekonomik. Aktualisht në këtë pikë kufitare transportuesit kalojnë me automjete pa ngarkesë kur kthejnë nga Kosova apo anasjelltas.

/koha/