VMRO i thotë jo Selës për emrat
|
Kryetari i Degës së VMRO-së, Pero Petkoski, potencoi se është befasuar nga deklaratat e kryetarit të Komunës Ziadin Sela, në lidhje me ndërrimin e emrave të rrugëve dhe të dy shkollave fillore në qytetin e Strugës.
Petkoski në një prononcim për gazetën “KOHA” nënvizoi se kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe për momentin nuk duhet të preket, qëndrim të cilin dega e VMRO-së në Strugë do t’ia komunikojë edhe kryetarit të Komunës së Strugës.
Sipas Petkoskit, ndërrimi i emrave të rrugëve deri tani nuk ka qenë i shtruar për diskutim ndërmjet dy partnerëve lokal, çështje e cila sipas tij, edhe për një kohë nuk duhet të trajtohet për vetë specifikat që ka. “Jemi befasuar nga deklarata e kryetarit për ndërrimin e emrave, sepse nuk jemi konsultuar për këtë problematikë fare. Dihet se, që të kalojë kjo çështje në Këshillin Komunal, ajo duhet të votohet sipas parimit të Badinterit, që do të thotë se duhet një kompromis i gjerë. Ne si parti jemi kundër që kjo problematikë të preket edhe për një kohë, për vet specifikat që ka qyteti i Strugës.
Edhe për një kohë, në Strugë nuk duhet të ndërrohen emrat, ky është qëndrim i degës së VMRO-së në Strugë”, përfundon Petkoski. Në një dalje para gazetarëve, kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, nënvizoi se emrat e shkollave dhe rrugëve të cilat janë të kohës së komunizmit duhet të ndërrohen. Në Strugë, sipas Selës, nuk ka asnjë rrugë që mban emrin e një shqiptari dhe kjo nuk është e drejtë duke pasur parasysh faktin se shumica e popullatës në Strugë i përket etnitetit shqiptar. “Tashmë jemi në demokraci dhe nëse duam ta harrojmë sistemin e kaluar, nuk duhet të lejojmë emrat e institucioneve dhe rrugëve të qytetit të bartin emrat e përfaqësuesve të sistemit komunist.
Qytetarët kanë të drejtë të marrin e paraqesin iniciativa për ndërrimin e emrave. Ja, për shembull, shkolla ‘Josip Broz Tito’, mban emrin e mareshalit, presidentit të Jugosllavisë. Ka shumë qytetarë që janë persekutuar nga ai sistem dhe nuk është e drejtë që sot fëmijët e tyre të shkollohen në ato objekte që mbajnë emrin e atij presidenti”, tha ai. Për kryetarin Sela këtë problematikë e vështirëson i ashtuquajturi parimi i Badinterit, i cili kërkon një kompromis të gjerë, gjë që vështirë mund të arrihet. (P.L-Koha)











