A do ta rikthejë ILIRIDËN rizgjimi i tetovarëve me PPD-në?
Musa Lamallari
Mua më vjen keq pse dikush nuk bindet para fakteve, të gjithë e dinë se Abdylhadi Vejseli ka qenë ardhacak në PPD bashkë me Mersel Bilallin. Një ndër ata persona që e shfrytëzoi PPD-në ka qenë edhe Abdylhadi Vejseli, por ka pasur edhe të tjerë. Pse këta kanë qejf ta shohin veten çdoherë në kolltuk të turpit? Pse nuk ngopen dhe të rrinë anash, të bëhen anëtarë të disciplinuar pas këtyre zgjedhjeve? Nuk janë paratë çdoherë çelës magjik që mund ndokujt t’i sjellin suksese edhe në veprimet politike, që të imponohet si i mençur dhe si vlerë në shoqërinë shqiptare në Maqedoni.
Më kujtohet intervista e gjeneralit, Kudusi Lama, kur pyet gazetarin e emisionit “Pa rrotulla”: “E dini ju kush e themeloi shtetin Amerikan? Ma thuani një emër? ” Pra, e keqja e jonë është se nuk kemi as njerëz të pasur me kurriz, sepse sikur të kishim kur nuk do të provonin politikën, të bëhen të njohur, por do të provonin prodhimin, hapjen e vendeve të reja të punës.
PPD-ja nuk ka qenë as e Arben Rusit, por ky grup ka fituar kontekstin gjyqësor. Aty gravitojnë një numër i madh të rinjësh nga Tetova, të cilët nuk kanë shetitur si Abdylhadi Vejseli dhe disa të tjerë me Muhamet Halilin andej-këndej. Ata as nuk kanë punuar në këtë drejtim se dikush mund t’u japë shpërblim, por thjesht kanë besuar në diçka që kanë fituar betejën gjyqësore, e ajo është shumë më e madhe se paraja. Ndaj duhet të bëhen bashkë edhe Abdulhadi Veseli dhe Muhamet Halili, që e dërguan punën deri në kontekst gjyqësor, të tejkalojnë vetveten dhe të jenë anëtarë të disciplinuar dhe të ndihmojnë entuziazmin e rinisë shqiptare në Tetovë, atje edhe ku lindi PPD-ja në vitin 1990! Çdo përpjekje tjetër, nga këta individë, që me bajraktarizmin e tyre për interesa personale e dëmtuan në të kaluarën levizjen kombëtare të PPD-së, mund përsëri, nëse nuk e tejkalojnë vetveten, ta mbajnë hermetikisht të mbyllur për të dëmtuar idenë e PPD-së për Iliridë në Maqedoni.
Nuk është e vertetë se këta të rinj janë të interesuar për zgjedhje, as për primat, as për koalicione, por edhe këta ballafaqohen me disa individë në mesin e tyre, të cilët e shohin veten si deputet në kolltukun e turpit. Edhe pse janë më pak të zëshëm, megjithatë paraqiten si problem, por duhet pranuar se këta të rinj dhe pjesa militante e PPD-së, si dhe pjesa dërmuese e shqiptarëve të Diasporës, besojnë në programin e PPD-së, në aspiratën e saj, që shqiptarët duhet të jenë element shtetformues, të kenë shtetin e tyre në vijat etnike, të realizojnë referendumin e Iliridës. Por, mbi të gjitha, këta të rinj nga Tetova e kanë kuptuar se pa një lidhje të fortë mes Shkupit, Kumanovës dhe Pollogut, pastaj Dibrës dhe Strugës, nuk ka as Iliridë dhe as shqiptari me dinjitet në Maqedoni.
A do të t’ia arrin qëllimit këta të rinjë të PPD-së a jo, mbetet të shohim në ditët në vijim. Nëse dalin me qendrimet se janë për bojkot të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, janë shumë shenja të mira se në Tetovë ka filluar diçka e Re.
Pse tani, ju të njejtit, bëheni pengesë dhe nuk bëheni ndihmëtarë të këtyre të rinjëve, nuk po them të Arben Rusit, Muhamet Halilit apo ndokujt tjetër si emra të përfolur. Ky Muhamet Halili përsëri shkel premtimet e veta dhe u bëhet pengesë të rinjve tetovarë.
Urdhëroni, bëhuni bashkë! Te dy grupet. Rrini si pleqë, ndihmoni e mos u bëni gazi i botës, pasi edhe nuk dini si të punoni në rrjedhat e reja të kohës, edhe pse mendoni se jeni të vetëdijshmit, por ndonjë përvojë e juaja do të jetë e dobishme për këta të rinjë. Ngase edhe këto zgjedhje do të kalojnë nën aurën e Dexhallit, mes Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, deri sa qytetarët shqiptarë do të binden se kanë qenë të mashtruar në lojën e partneritetit iluzor në sistemin unitarist, që ka diskriminuar shqiptarët për 24 vjet rresht.
Prandaj, harronie se me individë, siç janë Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Rufi Osmani, e disa të tjerë, që tradhtuan lëvizjen e parë politike PPD për interesa të bajraktarizmit mund të sjellin ndonjë bereqet, pasi fjala shqipe BASHKIM nuk ekziton për ta, pasi janë të varur dhe interesat e tyre janë personale të cilat mund të realizohen vetëm nga partitë slavo-maqedone.
P.S.
Shqiptarët e Maqedonisë si brenda ashtu edhe në Diasporë janë për jetësimin e Ilirdës. Prandaj harroni zgjedhjet e racës së vasalëve dhe ejani bashkarisht të punojmë për Iliridën. Dalja e PPD-së në zgjedhje do të dëshmojë se tetovarët ende nuk janë rizgjuar nga gjumi dy dekadësh!






