Ahmeti: A do të mbeten përgjithnjë shqiptarët vetëm zëvendës, zëvendës, dhe zëvendës?
Kapitulli i presidentit me marrëveshje është i mbyllur dhe BDI do të kontestojë presidentin e ardhshëm, pavarësisht në është i VMRO-DPMNE-së apo i LSDM-së. BDI do të punojë të dështojë procesi i zgjedhjes së presidentit, duke mos bërë ftesë për votim, ndonëse do të marrë pjesë në të gjitha këshillat zgjedhorë. Ideja e presidentit të ardhshëm është e mirë dhe fisnike, por nuk pat guxim nga politika maqedonase. Kandidatura për president e PDSH-së, është një pjesëmarrje e padobishme në një proces të pavlefshëm. Zgjedhjet e parakohshme? BDI do të jetë fituese.
Këto janë pikat kryesore për të cilat ka folur gjerësisht kreu i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, në fjalën e tij përpara mijëra e mijëra anëtarëve të rinj të partisë, në Sallën Universale në Shkup.
Zoti Ahmeti ka arsyetuar gjatë idenë e kandidatit konsensual, duke përgënjeshtruar zërat skeptikë të, sic i ka quajtur ai, analistëve në thonjëza, duke thënë se, një propozim i dakorduar mes dy partive me legjitimitet të të dy komuniteteve më të mëdha etnike, do të ishte zgjidhja më e mirë dhe lëvizja e vendit përpara.
“Përse të mos uleshim e të gjenim një figurë të përshtatshme dhe të pranueshme për të dyja palët? Mirëpo, për të bërë këtë hap duhet të kesh guxim dhe mbi supe mision…Ne do të mbrojmë deri në fund me fanatizëm këtë ide, që ajo të triumfojë mbi ata që nuk kanë guxim,,,dhe i thërrasim ata të mobilizojnë forcat e tyre e të pranojnë në të ardhmen këtë ide, pavarësisht se është e BDI-së. Idetë e mira, ngado që të vijnë ato, nëse janë të mira, nuk ka asgjë të keqe të pranohen, sepse ky vend mund të ecë përpara duke bashkëpunuar e duke konsoliduar ide, duke përpunuar e materializuar ide të mëdha, pavarësisht subjektit dhe komunitet etnik që i takojnë”, ka deklaruar zoti Ahmeti.
Duke iu referuar kandidaturës së PDSH-së, zoti Ahmeti ka thënë se pjesëmarrja në proces e PDSH-së, nuk e zbeh idenë e BDI-së për kandidatin konsensual, ndërsa ka shprehur keqardhjen e tij që partia e Thacit është larguar nga ky koncept dhe ka zgjedhur të marrë pjesë në një proces jolegjitim dhe të padobishëm.
“Mendoj se idenë, platformën, idenë, filozofinë tonë, kandidatura e oponentit tonë nuk e zbeh. Ajo nuk e zvogëlon idenë e madhe të BDI-së dhe ideja e saj është shumë më e dobishme, shumë më frytdhënëse sesa një kandidaturë për president nga zoti Menduh Thaçi. Andaj unë do të doja të mos ishin ata pjesë e këtij procesi të parëndësishëm dhe t’i bashkohen idesë dhe platformës së BDI-së, por ata u shkëputën nga kjo ide, ata hynë në një proces të parëndësishëm për shqiptarët, i pavlefshëm për shqiptarët. Por kjo ne nuk ka shkurajon, nuk na kthen pas, por përkundrazi. Ne jemi ende më të fortë, më të guximshëm, në drejtim të promovimit, të lartësimit të idesë të shqiptarëve…dhe unë mendoj se kjo ide do t’i bëjë shqiptarët edhe më të rëndësishëm në jetën politike të vendit”, ka vijuar zoti Ahmeti, për t’u shprehur më pas.
“Përse vallë, do të mbeten përgjithnjë shqiptarët vetëm zëvendës, zëvendës, dhe zëvendës. Ka ardhur koha që shqiptarët të përfaqësohen që nga presidenti e deri te kryetari i Parlamentit”, ka deklaruar kreu i BDI-së.
Ai ka vijuar më pas fjalën e tij, duke u bërë me dije partive politike maqedonase se, po aq sa është ky vend i maqedonas, po aq është dhe i shqiptarëve.
“Kemi thënë se ky vend është dhe yni, kemi tapitë e të parëve tanë. Nuk jemi mysafirë e as qiraxhinj”, ka theksuar fort zoti Ahmeti.






