Aksionet policore dhe politika e pistë
Tashmë një kohë të gjatë shqiptarët e Maqedonisë duken të lodhur e të pashpresë përkundrejt përmirësimit të situatës politike e ekonomike, me këta politikanë që gjithçka mund të jenë, por vetëm të mirën e popullit duket s’e nuk e mendojnë, ngase mirësinë tonë duket se ata e barazvlerësojnë me xhepat e tyre. Kur, jemi këtu, ata metëvërtetë e jetojnë një realitet të paqtë. Janë të stërmbushur me para të pista, e në çastet kur ndodhen në hall i kanë shokët e tyre të qeverisë që ua zgjedhin menjëherë problemet, kurse të gjithë këta përfitime i marin në emër të së mirës kolektive, në emër të legjitimiteti që ua japim ne me votën tonë. Më tragjikja e gjithë kësaj është ajo se: si BDI -ja e PDSH -ja, na shohin vetëm si numra, jo si njerëz me ndërgjegje, të të cilëve u intereson para se gjithash ardhmëria dhe progresi i shoqërisë ku jetojmë.
Aksionet policore përse zhvillohen mu në prag të zgjedhjeve?
Sikur nuk ishin të mjaftueshme rrahjet e për çdo ditshme të të rinjve shqiptar rrugëve të Shkupit, projekti monoetnik “Skopje 2014″ dhe pafuqia e ministrave e përfaqësuesve të BDI - së nëpër institucionet e ndryshme, kohëve të fundit filluan edhe aksionet masive policore vetëm nëpër disa vendbanime shqiptar. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar të vetëm që është kundër prangosjes të kriminelëve dhe të gjithë atyre që veprojnë kundërligjshëm, mirëpo ajo që i revolton shqiptarët është fakti se me këtë mos rastësisht u dërgohet një mesazh atyre se; nëpër pjesët e juaja ka më së shumti kriminalitet! Me siguri se këto aksione kanë edhe qëllime tjera, njëra ndër to mund të jetë frikësimi i popullatës shqiptare të këtyre viseve, e dobësimi i mëtejshëm i BDI - së, e cila në këtë mes, më së shumti shfaqet si spektatore e ngjarjeve, se sa si parti që ndodhet në qeveri.
Në këto rrethana që ndodhemi aktualisht si shoqëri, mes politikave të pista të përfaqësuesve të BDI - së nëpër takime me njerëz të shërbimeve sekrete në “Alexandar Palace”, e atyre të PDSH -së në “Sushico”, gjithnjë ata që pësojnë jemi pikërisht ne, personat që në sytë e tyre shfaqemi vetëm si numra, për t’u siguruar atyre luksin e mëtejshëm, fitues njërit, e shef opozite tjetrit. Aktualisht, dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH deri më tani e kanë dëshmuar veten, se kur bëhet fjalë për pushtetin, të parën që e japin për ta përfituar atë, është pikërisht populli i tyre. Prandaj, kur bëhet fjalë të zgjedhësh ndërmjet BDI - së “Alexandar Palace”, e PDSH - së “Sushico”, këtu nuk shoh asnjë dallim.
Por a ka një fije shprese? Sigurisht se po, mund të flasim për qindra të meta ndaj partisë së Rufi Osmanit, RDK - së, por deri më tani është e vetmja parti e cila nuk është përfolur për lidhje kriminale dhe me shërbime sekrete, e s’ka qenë pjesë e qeverisë, prandaj s’mund edhe ta gjykojmë. Nëse shpresa është gjëja e fundit që largohet prej nesh, është mirë këtë radhë me anë të votës, ta kthejmë atë në mesin e shoqërisë ku jetojmë, e cila ka humbur që moti shpresat, se mund të gjejë një dritë në fund të tunelit, që me rrezatimin e saj do t’na ritkthejë dinjitetin e humbur.







