Kampioni i karatesë nderohet nga Rektori i USHT-së
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti, priti sot në takim karateistin më të mirë të Maqedonisë, Berat Jakupin.
Jakupi është kampion i trefishtë evropian në kategorinë e juniorëve.
I riu Berat Jakupi, edhe gjatë garave të fundjavës u shpall kampion shtetëror në karate, në kategorinë e seniorëve deri në 84 kg.
Gjatë këtij takimi, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, pasi e përgëzoi Berat Jakupin për sukseset e arritura deri më tani, tha se edhe stafi drejtues i Universitetit ndjehet mjaft krenar me sukseset e tij.
“Në paraqitjet e tij, qoftë në vend apo në arenën ndërkombëtare, Berati përvec vetes, klubit dhe shtetit, si student i Fakultetit të Kulturës Fizike, gjithsesi e prezanton edhe Universitetin tonë”, deklaroi Rektor Ahmeti.
Kurse kampioni i trefishtë evropian në kategorinë e juniorëve, Berat Jakupi, u shpreh mjaft i kënaqur me respektin që i bën atij Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe në veçanti Rektori.
Ai tha se gjithmonë do të punojë që të arrijë majat edhe më të larta të karatesë botërore, por duke u shprehur i gatshëm që kurdoherë që ta kërkojë nevoja ta prezantojë edhe më tej USHT-në, në garat e ndryshme universitare, siç e ka bërë edhe deri më tani. Madje duke u shpallur edhe kampion i garave universitare që u mbajtën vitin e kaluar në Budapest të Hungarisë.
Përndryshe, kampioni Berat Jakupi gjatë vitit të kaluar është shpallur fitues i medaljes së bronzit nga kampionati botëror i karatesë për U-21, fitues i medaljes së bronzit në kampionatin evropian të karatesë për seniorë dhe kampion evropian në U-21, kampion i garave studentore ndërkombëtare, kampion ballkanik, shtetëror dhe fitues i shumë turneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për të arriturat e deritashme të tij në sportin e karatesë dhe për prezantimin mjaft të dinjitetshëm të Universitetit, Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, karateistit Berat Jakupi i ndau Pllaketën e Universitetit, duke u zotuar se Universiteti Shtetëror i Tetovës edhe në të ardhmen do ta ndihmojë Beratin në rrugën e tij drejt majave më të larta të karatesë.






