Maqedonia perëndimore ka harruar shijen e investimeve shtetërore
Maqedonia Perëndimore është rajon që është lokomotivë e llojit të vet për zhvillimin e ekonomisë në Maqedoni është konstatimi kryesor i tryezës së rrumbullakët kushtuar përpunimit të strategjisë për zhvillim ekonomik të Maqedonisë Perëndimore që sot u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në organizim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
“Vlerësojmë se rajoni perëndimor është lënë anash nga disa parametra të përcaktuara institucionale për zhvillimin e tij prandaj dëshirojmë të përpunohet program strategjik që më vonë subjektet politike do ta kyçin në programet e tyre që të kontribuohet për përmirësimin e qeverisjes dhe zhvillimit të ekonomisë, si në pjesën perëndimore, ashtu edhe në mbarë vendin”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi.
Sipas profesorit të UEJL Nasir Selimi, ka hapësirë për shfrytëzimin më të mirë të potencialit dhe resurseve të Maqedonisë Perëndimore.
“Resurset njerëzore për një kohë të gjatë nuk janë shfrytëzuar drejt, është i nevojshëm zhvillim më i madh i ekonomisë së vogël dhe të mesme dhe zhvillimit të strategjisë të ndërmarrjeve dhe kompanive për eksport si bazë për zhvillimin e ekonomisë”, deklaroi Selimi.
Zëvendëskryeministri i Eurointegrimeve, Fatmir Besimi potencoi se konstatimet e tribunës së sotme mund të kontribuojnë për përmirësimin e standardit të qytetarëve përmes involvimit të tyre dhe përmirësimin e platformave ekonomike të faktorëve politikë për katër vitet e ardhshme.
“Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe energjetike përmes ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10, si dhe gazifikimi i shtetit akoma më shumë kontribuohet drejt tërheqjes së investitorëve të mundshëm të cilët do të kontribuojnë për uljen e papunësisë përmes hapjes së vendeve të reja të punës. Në këtë drejtim është edhe angazhimi ynë për ngritjen e cilësisë së arsimit me ç’rast do të fitohen kuadro të reja konkurruese në tregun e punës jo vetëm në vend por edhe më gjerë”, deklaroi Besimi.







