PDSH-ja e Strugës, “godet” gjatë kësaj jave
Dega e PDSH-së në Strugë e cila është në fokusin e opinionit shqiptar në Maqedoni lidhur me zhvillimet e fundit politike të kësaj partie, pritet që ditët e para të kësaj jave të thotë fjalën e fundit lidhur me qëndrimin që do të mbajë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas burimeve të afërta pranë PDSH-së së Strugës, për Drini.mk, ditën e martë ose të mërkurën, përfaqësuesit e nëndegës së PDSH-së si dhe kryesia e degës së Strugës, do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët ku edhe një herë do t’i shqyrtojnë pozicionet lidhur me kundërthëniet që lindën mes kësaj dege dhe qendrës së PDSh-së, si pasojë e listës së deputetëve, të cilën e propozoi kryesia qendrore e PDSH-së, por që nuk e pranoi Dega e Strugës.
Kryetari i degës së PDSh-së në Strugë, Lavdërim Elmazi, i cili bashkë me kryetarin e komunës Ziadin Sela, ditë më parë morën pjesë në aktivitete të ndryshme me rastin e ditës së ekologjisë, nuk kanë komentuar dicka të re në këtë drejtim. Elmazi ka përsëritur se dega e Strugës, ka dalë me prononcim zyrtar lidhur me këtë rast dhe nëse do të ketë dicka të re, do të informojë në kohë mediat dhe opinionin, ai ka theksuar se për të pasur një qëndrim të ri, duhet fillimisht të organizohet një mbledhje e përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e degës, mbledhje kjo e cila do të mbahet para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave në KSHZ./Drini.mk








