Për shqipen (jo)zyrtare
Zeqirija Ibrahimi
Këtë javë në Maqedoni qëndroi njëri ndër pjesëmarrësit e bisedimeve për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit më 2001, diplomati amerikan Xhejms Pardju. Megjithëse në vizitë jozyrtare, ai erdhi në zyrat e ish-ambasadës së SHBA-ve në Shkup, ku tashmë përkohësisht është i vendosur Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Dhe, përveç që biseduam për vështirësitë e arritjen se Marrëveshjes, ajo që neve na interesonte më shumë ishte si (nuk) u rregullua çështja e gjuhës shqipe në këto bisedime. Dhe, diplomati amerikan, megjithëse me gjuhë të kursyer diplomatike, na e tha troç: “Marrëveshja e Ohrit e ka krijuar kornizën e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Se pse nuk është realizuar ashtu siç kërkoni ju, për këtë pyetni përfaqësuesit tuaj politikë”. Dhe, ç’të thuash pas kësaj?!
Shqipja në ish-Jugosllavi dhe shqipja sot
Sipas autores Janet Byron, që te ne njihet me studimin “Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës dhe shkrime të tjera”, në ish-Jugosllavi me kushtetutën e vitit 1974 shqipja, si gjuhë e kombësive, fitoi të drejtën e përdorimit në gjykata dhe në agjencitë shtetërore (neni 171 dhe 214), në forcat e armatosura dhe në komandën ushtarake (neni 243), madje edhe në komunikimin ndërkombëtar (neni 271). Kjo i bie se edhe komandat në ushtri, edhe gjykatat e shtetit, edhe agjencitë e tjera të shtetit, por edhe ambasadorët shqiptarë të atij shteti mund të flisnin në gjuhën shqipe. Diçka që sot është e paimagjinueshme, apo?
Sot nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nuk ka të drejtë t’i udhëheqë seancat në gjuhën shqipe, ministrat shqiptarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u përgjigjen deputetëve shqiptarë maqedonisht e të mos flasim për gjuhën e diplomacisë, të komandës ushtarake ose atë të gjyqësorit, ku shqipja as erë nuk mund të marrë.
Sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, që është i vetmi i këtij lloji në Maqedoni dhe është shtylla e mbrojtjes së gjuhës shqipe në Maqedoni, e ka të ndaluar komunikimin zyrtar në gjuhën shqipe. Madje, edhe tabela para Institutit, ku është e shkruar edhe shqip emri i këtij institucioni, është ilegale, sepse ligji nuk e lejon përdorimin e këtij emërtimi në gjuhën shqipe.
Duke besuar se shqipja është zyrtare, Instituti jonë ngriti iniciativë për të marrë të drejtën e dhënies së licencave për lektorët e gjuhës shqipe, por përgjigjja e autoriteteve të Ministrisë së Kulturës ishte se kjo nuk mund të bëhet, për shkak se nuk ekziston kornizë ligjore që ia lejon shqipes një të drejtë të këtillë.
Tjetër! Sot nëse shkon në cilindo sportel të shtetit dhe nëpunësi nuk qëllon shqiptar, je i detyruar të flasësh maqedonisht se ndryshe nuk mund të kryesh punë.
Nëse je shqiptar, në pasaportën tënde do ta kesh edhe gjuhën shqipe (natyrisht, nëse parashtron kërkesë të posaçme), por ata që i marrin pasaportat maqedonisht nuk e kanë edhe gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë sapo ta marrë një zyrtar pasaportën e një shqiptari në dorë, pa e hapur fare, e di se bëhet fjalë për shqiptar. Që i bie si një këmishë e verdhë e hebrenjve në kohën e fashistëve.
Nëse e ke emrin Luan, në dokumentet tua personale të shkruan shqip Luan, të shkruan maqedonisht Луан ose Љуан (siç dëshiron nëpunësi vetë) dhe anglisht do ta kesh emrin Ljuan. Një njeri me tre emra. Dhe, kur Instituti jonë ofroi ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi dhe kërkoi të krijohej një softuer për shkrimin e emrave personalë dhe të toponimeve shqiptare, nëpunësit e Zyrës së Librave Amë (një institucion në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, që sot udhëhiqet nga një kuadër shqiptar) na u përgjigjën se: “Shteti nuk ka para që të bëjë softuer”. Kjo është përgjigjja për shqipen “zyrtare” në Maqedoni
Pse shqipja nuk është gjuhë zyrtare?
Kjo është një pyetje, në të cilën duhet të përgjigjen politikanët shqiptarë. Diplomati Pardju e tha troç se të gjithë pjesëmarrësit e bisedimeve në Ohër e dinin saktë se formulimi “gjuhë të cilën e flasin mbi 20%” në Marrëveshjen e Ohrit ishte një formulim tjetër për gjuhën shqipe, ndërsa është pritur që konform këtij formulimi të rridhnin detyrimet e tjera për përdorimin e gjuhës shqipe. Nëse politikanët shqiptarë do të kishin pasur më shumë guxim, më shumë dije, më shumë vullnet dhe më shumë vizion (më falni që kaq shumë kërkoj dhe pres nga ata!), ata do të duhej ta kishin futur togun “gjuhë shqipe” në kushtetutën e vitit 2001, do të krijonin ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe, rrjedhimisht, edhe shqipja do të kishte mekanizëm ligjor që do ta sanksiononte (keq)përdorimin e saj. Megjithatë, tash kur formulimi i Marrëveshjes së Ohrit për gjuhën vetëm është bërë copy në normat kushtetuese-ligjore, i bie që secili drejtor i ndërmarrjeve të tallet me përdorimin e gjuhës shqipe (ju kujtohet ai drejtori i JSP-së ose, shqip, NPK-së – Ndërmarrjes Publike të Komunikacionit), ndërsa askush të mos ndëshkohet pse e shkruan shqipen si t’i vijë për së mbari.
Duke përfunduar do të thosha se në Maqedoni, megjithëse liria e shprehjes garantohet me kushtetutë, i bie që kjo të jetë e drejtë vetëm për ata që mendojnë maqedonisht. Sepse, mohimi i të shprehurit të lirë në gjuhën shqipe përbën një shkelje të dyfishtë: kështu shkelet e drejta e shprehjes së lirë të mendimit dhe mohohet e drejta e qeniesimit të qytetarit shqiptar në Maqedoni, pra kemi një mohim si qenie njerëzore dhe një mohim si qenie politike.
Duke e ditur se sa herë që flas me këtë gjuhë shumë miq të mi të skenës politike, veçmas ata të BDI-së, ma marrin për ters, dëshiroj t’i bind të gjithë ata dhe të tjerët që ia kanë mësyrë kësaj detyre se, në vend që të merren me neve që, duke shkruar krijojmë më shumë armiq, le të merren me ata që e sabotojnë përdorimin e shqipes, ndërsa ne do ta bëjmë punën tonë sa herë që kërkohet prej nesh. Le ta bëjnë detyrën e tyre, por le ta bëjnë shqip! /koha.mk/






