Projekte konkrete në vend të retorikës fetare - tetova1

Projekte konkrete në vend të retorikës fetare


Kategoria: Lajme

Postuar më: Hën, Mar 24, 2014

Lexuar: 514 herë



Retorika e disa politikanëve është duke u bërë gjithnjë e më joetike. Në rastin më të keq janë duke u përdorur tematikat fetare për të ushqyer propagandën fetare. Kjo vlerësohet si keqpërdorim i ndjenjave të njerëzve dhe mungesë e projekteve konkrete në dobi të qytetarëve.
Publicisti Hamdi Nuhiju, thotë se politikanët me vite të tëra kanë bërë një përzierje të ndjenjave dhe emocioneve të popullatës për të akuzuar njëri-tjetrin, por edhe për t`i ikur përgjegjësive që kanë marrë mbi supe.
Sipas Huhijut, ata përdorin fenë për ta akuzuar njëri-tjetrin, ndërsa harrojnë ose janë të paaftë që t`i zgjidhin problemet e ndryshme fetare të popullit shqiptarë që jeton në Maqedoni.
“Retorika në fjalë është e njohur për publikun. Në zgjedhjet e fundit lokale, vet kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një intervistë për televizion lokal mallkonte tetovarët dhe hoxhallarët pse nuk e votuan kandidatin e tyre.
Mendoj se popullata është vetëdijesuar dhe nuk bie më pre e kësaj retorike propagandistike”, ka thënë Nuhiju për “Zhurnal”.
Ndërkohë, Nuhiju ka theksuar se Burmali Xhamia do të ishte problem i Bashkësisë Fetare Islame, nëse Qeveria e Maqedonisë nuk do të përzihej për shitjen e pronës së saj.
“Por, përderisa u përzije, si partitë politike shqiptare në pozitë, si ato në opozitë duhej që të ndërmerrnin masa për të reflektuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje të atij problemi”, ka thënë Nuhiju.
Sipas tij, Burmali Xhamia është vetëm një problem i shqiptarëve të Maqedonisë që reflekton pakujdesin dhe dyfytyrësinë e politikanëve tanë.
Ka edhe një mori problemesh tjera, të cilat me ndërhyrjen e politikës mund që të zgjidheshin. Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi gjatë një takimi elektoral e kishte akuzuar rëndë liderin e BDI-së, Ali Ahmeti rreth trajtimit të çështjeve fetare.
“Ju z. Ahmeti e keni vendosur Shtëpinë e Oficerëve në themelet e Burmali Xhamisë. Prandaj, konkluzioni është se ju Ali Ahmeti, rëndë i keni mashtruar të gjithë shqiptarët, sepse nuk keni realizuar asgjë.
E pyes Aliun a ka Allah, ai thotë jo Marksi është Allah! Estagfurullah, shumë ka e prapa! I them a ka shqiptar, jo s’ka shqiptar duhet ta votojmë Sergjan Kerimin, Pendarovskin, Ivanovin.
Në këto zgjedhje kam një dëshirë të flaktë, do ta shpalosi në formë të mesazhit: Ta shkelim Marksin, Engelsin e Leninin, dhe njëherësh, ta ngritim lartë Zotin, kombin, PDSH-në dhe Iljaz Halimin”, ka deklaruar Thaçi. (A.F.)