S’ka kush e ndalë ‘ikjen e të diplomuarve’
Mbi dyqind mijë të diplomuar, shtetas të Maqedonisë mendohet se jetojnë dhe veprojnë nëpër shtete tjera dhe nuk planifikojnë kthimin në atdhe, të paktën jo në kushtet dhe rrethanat që ofrohen aktualisht tek neve. Të sistemuar tanimë në shtete kryesisht të zhvilluara të Evropës, por dhe përtej oqeanike - në Amerikë, Maqedonia jo vetëm që nuk ka çfarë t’ju ofrojë kësaj kategorie njerëzish, por nuk ka as strategji të mirëfilltë. Mungojnë politika të njëmendta makroekonomike, të cilat do të ndikonin pozitivisht në “kthimin e trurit”, vlerëson profesori universitar Neritan Turkeshi. Për pasojë, mungesa e perspektivës shndërrohet në barriere të pakapërcyeshme. Ndërkaq, Maqedonia dhe shtetet ku ata migrojnë vazhdimisht nuk mund të krahasohen për nga mirëqenien dhe standardin jetësor. E, sikur të mos mjaftojnë vetëm këto, në Maqedoni nuk ka as hulumtime shkencore mbi bazën e të cilave do të ndërtonte strategjitë eventuale, vëren dr.Aziz Pollozhani, nga Instituti i Studimeve Politike dhe Interkulturore në Maqedoni (ISPI). Turkeshi kujton se të gjitha statistikat e viteve të fundit tregojnë se “brain-drain” vazhdon të jetë fenomen shqetësues në Maqedoni. Vetëm për pak muaj, vendin e kanë lëshuar 50 të diplomuar, plotëson më tej ai, duke numëruar si shkaktarë të këtij fenomeni “mungesën e perspektivës, politikat jo shumë të qarta makroekonomike, standardin jo të mirë të jetesës, papunësinë, varfërinë e kështu me radhë”. Profesor i ekonomisë në Universitetin FON, Turkeshi, nënvizon se Qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë ka promovuar projekte që synojnë të mbajnë në Maqedoni të rinjtë apo të kualifikuarit. Janë mundësitë që u krijohen atyre për vetëpunësim dhe për marrje të kredive prej 3000 deri në 5000 euro. Mirëpo, nuk shkon shumë dhe ata persona zhgënjehen. “Më ka ndodhur personalisht të takohem me persona, të cilët kanë përqafuar projekte të këtilla, pra kanë marrë kreditë për të ngritur një sipërmarrësi të vogël me qëllim vetëfinancimi, por pas tre-katër muajve - i kanë mbyllur të njëjtat. Sepse, gjërat janë të lidhura dhe nuk mund të jenë të suksesshme bizneset e vogla kur ka numër të lartë të papunësisë, shkallë të lartë të varfërisë apo jo zhvillim ekonomik”, shprehet ai. Prandaj, Turkeshi konsideron se Qeveria duhet të krijojë politika më të qarta ekonomike, pa përjashtuar edhe ato të mikro-biznesit. Projektet e deritanishme më tepër janë formale se sa të destinuara për të prekur njëmend fenomenin, mendon profesori universitar. Për të ndërtuar një strategji, padyshim se nevojiten të dhëna relevante, fakte, numra dhe hulumtime paraprake, gjë e cila mungon në Maqedoni. “Është evidente mungesa e një hulumtimi për diasporën, e me theks të veçantë për diasporën akademike, pra për ata që e kanë lëshuar Maqedoninë si intelektualë apo që janë formuar si të tillë në diasporë. Kemi mungesë absolute të të dhënave në këtë drejtim. Prandaj, them se pa pasur hulumtime, nuk mund të ndërtohen as strategjitë”, shprehet Aziz Pollozhani. Nisur nga kjo, ISPI-s është në proces të përgatitjes së një hulumtimi për evoluimin e ikjes së trurit nga Maqedonia. Hulumtimi që pritet të përfundojë në fund të 2014-ës mbështetet në dy komponentë: vlerësimin e potencialit migrues dhe pyetësorin për diasporën. Është shumë e rëndësishme të dihet jo vetëm numri i atyre që kanë migruar, shkaqet dhe arsyet për të cilat do të ktheheshin në Maqedoni, por edhe i atyre që janë objekt potencial i largimit në vijim. Kjo komponentë nuk gjendet në asnjërin prej tre hulumtimeve që pas pavarësimit të Maqedonisë i kanë bërë Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, si dhe Instituti i Ekonomisë. Hulumtimet në fjalë nuk janë të plota. E para, nuk posedojnë të dhëna për diasporën shqiptare dhe e dyta - nuk kanë përdorur metodologji bashkëkohore për përthithjen e të gjitha të dhënave. Për pasojë, sa herë flitet për “brain drain”, nuk ka asnjëherë shifra të sakta, apo të dhëna relevante. Mendohet se janë 230.000 të diplomuar, qytetarë të Maqedonisë, të cilët nuk jetojnë në vendin tyre, por diku gjetkë. Me këto të dhëna të plasuara nga “DECA”, organizatë e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodoi” në Shkup, u mbajt së fundmi një debat, në të cilin gjithashtu u kritikua mungesa e strategjive të qarta.
Laura PAPRANIKU






