Skenare poshtëruese! - tetova1

Skenare poshtëruese!


Kategoria: Opinione

Postuar më: Sht, Mar 1, 2014

Lexuar: 820 herë



Venhar Ramadani

Në ulësen e qytetit, duke pritur autobusin për në Tetovë dëgjova një bisedë të çuditshme. Flitej për politikë! Komentonin Ali Ahmetin dhe 350.000 votat e Iljaz Halimit. Flisnin një grup pastruesish të cilët janë punësuar nga qyteti i Shkupit për të mbushur numrin, përqindjen e Marrëveshjes së Ohrit! Më shkoi ndërmend një shaka për trendin e ri të shqiptarëve, nga 1 milion shqiptar në Maqedoni, 800.000 janë opinionist, tjerët janë fëmijë! Por çka të ju bësh, edhe ato duhet të shprehin atë që mendojnë.

Është e kotë të komentosh fjalët e mëdha të burrit që tani nuk merret me kobure por me politikë por gjithashtu është e kotë të komentosh për të fortin. Do të shkruaj për dy skenare që janë të shkruara nga kryesuesit e nëntokës në Maqedoni. Përfaqësuesit tanë janë vetëm menaxhues të këtyre skenare dhe përdorin bashpartiakët e tyre për të luajtur rolet. Në këtë lojë ne jemi vetëm statist! Statist jemi të gjithë ne, ju dhe unë pasi ne jemi votuesit potencial. Sado që të na nervozoj ky fakt, na shohin vetëm si material me afat përdorimi një muaj, sa për fushatë. Do të dal te vendvotimi, do ta prish votën për të mos ia lënë askujt të vendos për mua!

Se Presidenti nuk do të jetë shqiptarë është e ditur por duhet të mendojmë se pse ne jemi vetëm objekt në tavolinën ku projektohet fitimi i tyre nga pjesmarrja në pushtet. Të flasim drejt, të dy nuk janë të sinqertë, njëri i bojkoton zgjedhjet për të vazhduar qeverisjen edhe për katër vite nëpërmjet krizës politike dhe zgjedhjeve të reja, ndërsa tjetri nxjerr kandidat për të siguruar përqindje për pjesmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe automatikisht me këtë e siguron fitoren e kandidatit të VMRO-DPMNE-s. Janë skenare që shumë lehtë kuptohen. Skenare si këto e ofendojnë intelegjencën e çdo qytetari dhe e vetmja kërkesë nga ana ime është që të ndalojnë me këto manipulime qesharake pasi është viti 2014 dhe ju duhet një përditësim teknikash.

Më vjen shumë keq për forumet rinore të këtyre partive që edhe këtë herë do të jenë vetëm instrument për të shpërndarë inatin dhe teknikat e skaduara që partia duhet t’i përçoj deri tek elektorati. Kryetari i partisë nuk mund të shkoj në çdo lagje dhe në çdo shtëpi për të bindur qytetarin për të votuar apo për të bojkotuar, pasi për këtë punë do kujdeset aktivisti! Normalisht se kjo shtresë e strukturave të partisë do të jetë më e dëmtuara, më e harxhuara dhe më e dëshpëruara. Pas zgjedhjeve marrëveshjet e bëra me nëntokën do të realizohen dhe këtyre do të ju mbetet një foto me kryetarin, dy hamburger që i kanë ngrënë me një kanaçe coca cola dhe normalisht grindjet që i ka bërë në lagje për të mbrojtur partinë. Kaq!

Për të mbyllur këtë shkrim do ti këshilloja lexuesit e mi që të lexojnë libra, të ushtrojnë ndonjë sport të ri, të vrapojnë, të dëgjojnë muzikë (mundësisht nga ndonjë CD apo mjet tjetër elektronik pasi në frekuenca të ndonjë radio stacioni do të del ndonjë reklamë e paguar politike), të shmangin çdo reklamë televizive dhe normalisht të ndalojnë reklamat e paguara në Facebook. Numri i reklamave të paguara në rrjetet sociale për kandidat potencial për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është shumë i lartë dhë anashkalimi me një X do të thotë shpëtim për ju. Hani shëndetshëm, lexoni libra, dëgjoni muzikë dhe vraponi. Harroni fushatat që janë produkt i skenareve të frikshme! Me të mira!