Ziadin Sela: PDSH-ja nuk është e Selës, as e Thaçit, por e rinisë dhe aktivistëve të saj
Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela ka reaguar në lidhje me paralelet që hiqen rreth mosmarrveshjeve që dega e Strugës ka me qendrën e PDSH-së në Tetovë, duke i krahasuar ata me problemet që së fundmi po aktualizohen në Saraj të Shkupit. Sela me këtë rast thekson se ankesat dhe paralelet që i heq z. Nuredini, janë personale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohen me Strugën.
“PDSH nuk bëhesh brenda natës z.Nuredini! Se kur bëhesh në këtë formë si puna jote (dhe kush të bëri dihet botërisht) rikthehesh aty ku ke qenë në BDI dhe nuk kalon nga PDSH në BDI. Problemi juaj personal ska të bëjë me ndodhitë që ndodhin në degën e PDSH-së në Strugë. Edhe një leksion tjetër nëqoftëse e ke ndarë mendjen të bëhesh PDSH dhe shpresoj që ta kuptosh esencen e problemit që ka të bëjë me degën e Strugës”, shkruan Sela.
Në vazhdim kryetari i Strugës ka komentuar edhe për konceptin e PDSH-së, duke theksuar se ajo nuk është pronë e individëve, por është shumë më tepër se aq, ajo ju përket aktivistëve të saj që 20 vite punojnë për ta jetësuar platformën e saj, dhe i përket rinisë dhe gjithë shqiptarëve.
“PDSH-ja nuk është Ziadin Sela, as Menduh Thaçi , asnjë emër tjetër i përveçëm apo dëshira e dikujt për të qenë kandidat për deputet , kryetar komune, ministër, zv ministër…Nuk është shpi e as zot shpije, është shum më tepër se kaq dhe në të njëjtën kohë edhe më e thjeshte se kaq! PDSH është rinia e PDSH-së, është aktivisti më i thjeshtë i saj i cili ka 20 vite qe lufton me mish e me shpirt që të del në dritë opsioni kombëtar në skenë, është shqiptari i rëndomtë në Maqedoni dhe zgjidhja e halleve që ai ka, janë njerëzit qe e duan fitoren të paktën njëherë. Ne e bëm në Struge dhe duam ta ruajme dhe ta përcjellim te çdo shqiptar. Në Kërcovë, Cair, Gostivar, Tetovë, Resnjë, Dibër, Saraj…ta ruajmë fitoren që korrim vazhdimisht në Manastir, ta rikthejmë në Ohër dhe kudo ku jeton edhe nje shqiptar”, përfundon komenti i Ziadin Selës.
/tetova1/







