Sallatat më të rëndësishme se statusi i UÇK-së - tetova1.com

Sallatat më të rëndësishme se statusi i UÇK-së


Kategoria: Lajme

Postuar më: Pre, Pri 11, 2014





Sallatat dhe dhentë si duket janë temë shumë më e rëndësishme për BDI-në, se sa zgjidhja e statusit të ushtarëve të UÇK-së. Partia e Ahmetit të enjten nuk ka treguar gatishmëri të pranojë ofertën me katër kushte nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), ku kusht i parë është zgjidhja e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së. Partia e Rufi Osmanit tregoi gatishmëri të kontribuojë për unifikim të votës shqiptare, duke tërhequr listat e veta të kandidatëve për deputetë, nëse BDI zotohet se do të plotësojë kushtet në vijim:
1. Deri 30.06.2014 të miratohet Ligji për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të UÇK-së, invalidëve të luftës dhe familjeve të tyre.
2. Deri 30.09.2014 ndryshon ligji i buxhetit me qëllim që të drejtat e shqiptarëve që votohen me votim të dyfishtë “badenter” - zërat e buxhetit për ato te drejta siç është arsimi, kultura, shkenca, muzetë, përmendoret, trashëgimia kulturore dhe investimet kapitale në këto sfera të sillen me “badenter”.
3. Deri 31.12.2014 të miratohet propozim ndryshimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
4. Deri 31.12.2015 të arrihet përfaqësimi i drejte dhe adekuat 25.17% të punësoni edhe 22.800 shqiptarë që të mos diskriminohemi nga 45 milion euro ne vite ne emër te pagave.
RDK kërkon që BDI të japë garanci me shkrim për realizimin e këtyre obligimeve në afate të caktuara, për shkak se është dëshmuar se sapo kalojnë zgjedhjet partia e Ahmetit harron premtimet e dhëna gjatë fushatës, e madje edhe e heq platformën zgjedhore nga ueb faqja zyrtare e partisë.
“Me që BDI dëshiron të manifestojë dhe të forcojë superioritetin partiak SI NJË E VETEME duke i akuzuar partitë tjera për përçarje te votës ne si RDK kemi propozim konkret. Ne si RDK mundë edhe të mos jemi “përçarës” në këto zgjedhje nëse BDI do pranon dhe do të nënshkruaj në sy të shqiptarëve se këtë vit 2014 do të realizoj kërkesat e shqiptarëve”, deklaroi për “Lajm” sekretari i përgjithshëm RDK-së, Izet Zeqiri, duke arsyetuar kërkesat e parashtruara.

BDI parasheh risocializim e jo ligj për statusin e UÇK-së
Në pyetjen e gazetarëve se a do t’i pranojë BDI kërkesat e RDK-së, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u përgjigj:“Kërkesat që ka bërë RDK janë në programin politik të BDI-së, kështu që ata munden lirisht me u tërheqë nga gara elektorale”.
Mirëpo populli nuk ka thënë kot: “Nga e thëna në të bërë, një mal i tërë”. Kjo dëshmohet edhe në qëndrimin e BDI-së lidhur me statusin e ish pjesëtarëve të UÇK-së, që është shprehur në platformën e tyre partiake. Në fakt, në këtë platformë askund nuk përmenden ish pjesëtarët e UÇK-së, por përdoret termi “palët e dëmtuara në vitin 2001”.
Aty përsëritet qëndrimi tashmë i njohur i BDI-së për “risocializim”, por askund nuk përmendet ligji për UÇK-në, njësoj si ligji që u miratua për “branitellët” maqedonas. Pesimizmin edhe më tepër e shton fakti se “partia e luftës” në platformën e vet parasheh qasje ndaj UÇK-së, njëjtë “sikurse edhe gjatë këtyre trembëdhjetë viteve”. Në vazhdim u sjellim të plotë qëndrimin e BDI-së lidhur me konfliktin e vitit 2001, me qëllim që lexuesit në mënyrë më objektive të munden të vlerësojnë se a parasheh apo nuk parasheh, platforma e BDI-së zgjidhje ligjore për ish pjesëtarët e UÇK-së:
“Bashkimi Demokratik për Integrim, si edhe gjatë këtyre trembëdhjetë viteve, edhe mandatin e ardhshëm qeveritar do të vazhdojë të sigurojë dhe të ofrojë përkujdesje ndaj familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të kryengritjes së vitit 2001. Kjo përkujdesje përfshinë forma të ndryshme të asistencës institucionale, sigurimit të vendeve të punës, sigurimit të banesave dhe bursave për shkollimin e fëmijëve të dëshmorëve apo invalidëve, e kështu më radhë. Me qëllim që të reflektojmë ndërgjegjen për meritat e e pamohueshme të kryengritjes së vitit 2001 për të drejta dhe liri, në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, në shenjë të respektimit të paqes dhe pajtimit në mënyrë institucionale përfaqësuesit e institucioneve më të larta shtetërore nderojnë dëshmorët e lirisë.
Në korrik të vitit 2011 nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë u bë “Interpretimi autentik i Ligjit për Amnisti” në bazë të të cilit u zgjidh përfundimisht çështja me rastet e hapura nga konflikti i vitit 2001.
Ne jemi të vetëdijshëm se statusi institucional i kësaj kategorie shumë të respektueshme shoqërore akoma nuk është zgjidhur plotësisht, por, ngelim tërësisht të vendosur dhe te angazhuar që të punojmë në gjetjen e një zgjidhjeje që do të jetë e pranueshme për të gjithë. Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë me mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve në konflikt, ashtu siç kemi bërë deri më tani.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet edhe për rehabilitimin e ish të burgosurve politik duke patur parasysh sakrificën për shkak të konfliktit me regjimin komunist në rrugën e tyre për liri dhe të drejta”.

Edhe diaspora e revoltuar nga dhentë dhe sallatat
Mosprononcimi konkret i BDI-së lidhur me ofertën e RDK-së, vjen në kohën kur opinioni ende po diskuton lidhur me paraqitjen e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti në Studeniçan, ku mbajti fjalim për rëndësinë që ka për çështjen shqiptare kultivimi i sallatave dhe ruajtja e dhenve. Nuk janë të paktë ata që komentojnë se me këtë BDI ka treguar se më të rëndësishme iu vlerëson sallatat se zgjidhjen e statusit ligjor të UÇK-së. paraqitja e Ahmetit ka revoltuar edhe diasporën shqiptare. Figura eminente të diasporës shqiptarë kanë reaguar ashpër kundër fjalimit të dy ditëve më parë të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, gjatë një tubimi në Komunën e Studeniçanit, duke thënë se ndjehen të ofenduar nga fjalët e tij, transmeton “Almakos”.
Kryeredaktori i radios “Zëri i Mitrovicës” me seli në Zvicër, Hadi Osmani, me origjinë nga fshati Sllupçan i Kumanovës, i ka parashtruar Ahmetit disa pyetje publike, ku ai thekson se mërgimtarët shqiptarë ndjehen të ofenduar nga kreu i BDI-së dhe e rikujtojnë atë se mërgimtarët nuk janë në nivelin që i përshkroi Ali Ahmeti.
“A e ke idenë se sa shumë e ke ofendua diasporën? Ne a të dukemi Çobanë që ruajmë dele e lopë e që mbjellim kastravecë e speca ne diasporë ah? Pse o Ali Ahmeti kërkon vota nga diaspora? Kend e ke kthyer dhe kujt ja ke mundësua një vend pune në Maqedoni nga diaspora? O Ali Ahmeti të kujtoj se në diasporë ka shqiptar që udhëheqin fabrika, ka inxhinierë të Makinerisë, ka mjekë, gazetar.. Nuk është ajo koha kur ju keni qenë e që keni punuar në GartenBau! Shqiptarët janë integruar në shtetet perëndimore o Ali Ahmeti, në Maqedoni e kemi vështirë ne! O Ali Ahmeti të kujtoj edhe këtë se më shumë na ka dëmtuar vota që të kemi dhënë se sa diskriminimi para 2001 dhe lufta..Zoti ti ruajt këshilltarët!”, përfundon reagimin e tij, Hadi Osmani, kryeredaktorë i radios “Zëri i Mitrovicës” me seli në Zvicër.
/lajm/