Shkëndija vazhdon të paguajë shfrenimin e tifozëve!
Të mërkurën në hapsirat e Federatës së Futbollit të Maqedonisë mbledhje javore ka pasur Komisioni Diciplinor dhe në mesin e shumë vendimeve tjera, vetëm kundër KF Shkëndija procedura nuk ka të bëjë me ekipin, futbollistët, kryesinë, apo diçka të ngjashme, por është sjellja e tifozëve që paraqitet si problematike. Në njoftimin e FFM-së në lidhje me KF Shkëndija thuhet: “Ngritet Procedurë Diciplinore kundër KF Shkëndija nga Tetova për shkak të organizimit të dobët, hudhjes së gjësendeve të forta në teren nga ana e publikut, përdorimit të laserit, gjuajtjes me gjësende të forta në drejtim të arbitrave gjatë dhe pas ndeshjes si dhe pështyrje të arbitrave pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 26-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Bregallnicës e luajtur më 05.04.2014 në stadiumin në Tetovë”. Më tej thuhet se duhet të dorëzohet deklaratë me shkrim për këtë ngjarje, por duke u bazuar në të kaluarën, Shkëndijën e pret dënim me të holla dhe në raste të këtilla gjoba arrin deri në 2500 euro. Dënime të tilla disa herë janë paguar në të kaluarën dhe rrezikon të ndodhë edhe tani! Kaq është kostoja e shfrenimit të tifozëve dhe dëfrimit të tyre me hedhjen e gjësendeve të forta në teren, në drejtim të kundërshtarit dhe arbitrave! Kaq kushton ‘ndihma’ që klubi dhe kryesia mer nga publiku në rrugën drejt ndërtimit të një Shkëndije Evropiane, me të cilën do të jemi të gjithë krenar! Tifozët që bënë veprime të tilla ndoshta u nxitën nga padrejtësitë e arbitrave në ndarjen e drejtësisë, mirëpo gjithsesi nuk mund të justifikohen sepse të njëjtat janë të kobshme për klubin. Të gjithë duam një Shkëndijë Evropiane dhe në këtë drejtim ka një qëndrim të bashkuar dhe të paparë! Por duket se disa tifozë nuk dëshirojnë të korigjojë veten dhe të shikojnë se si në fakt sillen tifozët në Evropë. Shkëndijën Europiane do të mund ta shohim vetëm atëherë kur do t’i kemi menjanuar këta dukuri negative, pasi në Europë nuk ka vend për improvizim dhe shfrenim të ndjenjave apo frustrimeve personale. Në prononcimin e parë të pronarit të kopanisë ‘Ecolog’ z. Lazim Destani në momentet që pranohej kërkesa për të ndihmuar Shkëndijën, u tha qartë se mes tjerash një ndër pikat kyçe do të jetë vetëdijësimi i publikut, respektimi i kundërshtarit dhe arbitrave dhe krijimi i një klime sportive në stadiumin ku ndeshjet do t’i luaj skuadra ‘kuqezi’. U mendua se muajt që lëmë pas mbase ishin të mjaftueshëm për të kuptuar këtë mesazh, por për fat të keq disa skena të pahijshme përsëriten dhe në fund është klubi ai që paguan koston e sjelljes së tifozëve të papërgjegjshëm, të cilët mendojnë se në atë mënyrë ndihmojnë skuadrën. Mirëpo të njëjtët gabojnë rëndë, sepse Shkëndija s’ka nevojë për ndihmë! Shkëndija ka nevojë vetëm për mbështetje dhe pak durim në rrugën drejt realizimit të objektivave madhore. Shpresojmë që ky mesazh do të kuptohet nga të gjithë dhe në të ardhmen arka e FFM-së mos të mbushet me të holla të Shkëndijës, të cilat ndoshta mund të dedikohen në ndonjë vend tjetër!? - See more at: http://www.kfshkendija.com/shkendija-vazhdon-te-paguaje-shfrenimin-e-tifozeve
/kfshkendija.com/




